Sulmuesi në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg dënohet me burgim të përjetshëm

26 qershor 2026 | 13:51

Një gjykatë në Gjermani ka dënuar me burgim të përjetshëm një burrë për sulmin në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg, në vitin 2024, ku mbetën të vrarë gjashtë persona.

Gjykata i ka shqiptuar dënimin maksimal të pandehurit Taleb Al-Abdulmohsen, shtetas nga Arabia Saudite. 51-vjeçari është shpallur fajtor për vrasje, raporton BBC.

Prokuroria ka deklaruar se ai drejtoi një automjet BMW me qira me shpejtësi deri në 48 kilometra në orë përmes tregut të Krishtlindjeve në qendër të Magdeburgut, më 20 dhjetor 2024.

Sipas hetuesve, sulmi ndodhi në orën 19:02 sipas kohës lokale, kur tregu ishte i mbushur me vizitorë që po festonin Krishtlindjet pranë tezgave me bukë xhenxhefili dhe verë të zier. Ngjarja zgjati vetëm një minutë e katër sekonda.

Një djalë nëntëvjeçar dhe pesë gra të moshës 45 deri në 75 vjeç humbën jetën, ndërsa rreth 300 persona të tjerë ishin plagosur.

Taleb Al-Abdulmohsen ishte arrestuar menjëherë pas sulmit.

Prokurorët kanë deklaruar se ai e kishte planifikuar sulmin për një kohë të gjatë dhe se kishte vepruar i vetëm. Sipas tyre, ai nuk kishte ndjekur një qëllim të mirëfilltë ideologjik, por kishte vepruar kryesisht për motive personale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kosova ka nisur sot rrugëtimin e saj në turneun ndërkombëtar…