Sunderlandi vajton mungesën e Xhakës
Te skuadra e Sunderlandit, po e vajtojnë mungesën e kapitenit Granit Xhaka, i cili ende nuk është rikuperuar nga lëndimi i nyjës së këmbës.
Trajneri Regis Le Bris, ka pranuar se mungesa e Xhakës është e madhe për ekipin e tij, duke pasur parasysh ndikimin e madh të futbollistit shqiptar, si brenda ashtu edhe jashtë fushës.
Xhaka i ka munguar Sunderlandit në tri ndeshje kampionale deri më tani, fitoren ndaj Burnleyt dhe humbjet nga Ëest Ham Unitedi e Arsenali.
Ai do të mungojë edhe kundër Liverpoolit, të mërkurën mbrëma kurse nuk pritet të jetë i gatshëm për lojë deri në fund të muajit, përfshirë edhe duelet me Oxfordin, Fulhamin e Bournemouthin.
“Kur kapiteni mungon, atëherë ekipi është më i dobët dhe krejtësisht tjetër. Kur e ke një lojtar me përvojë si Xhaka në fushë, gjërat ndryshojnë sepse ai të ndihmon shumë. Kështu që, mungesa e tij është shumë e madhe për ekipin tonë”, ka pranuar trajneri Le Bris.
33-vjeçari ka shënuar 1 gol dhe ka bërë 5 asistime në 22 ndeshje në Premier League për Sunderlandin, ekip me të cilin ka kontratë deri në vitin 2029.



