
Sunny Hill zbulon listën: Dua Lipa, Shawn Mendes, Anyma, Peggy Gou, Mochakk dhe Fatboy Slim ndezin Prishtinën sivjet
Janë publikuar emrat e artistëve të famshëm që do të jenë pjesë e Sunny Hill.
Ky edicion i festivalit pritet të jetë më i madhi ndonjëherë. Dua Lipa, Shawn Mendes, Fatboy Slim, Peggy Gou, Anyma, Mochakk – këtë verë vijnë në Prishtinë!
Sunny Hill do të fillojë fuqishëm me Dua Lipën, që rikthehet në vendlindje për ta hapur festivalin. Pjesë e turnet të albumit “Radical Optimism” tani është edhe Prishtina.
Pas Dua Lipës, në skenën C4, do të performojë Fatboy Slim – legjenda e muzikës elektronike dhe fituesi i 6 MTV Video Music Awards. Me energjinë e tij, ai do të sjell argëtim deri në orët e para të mëngjesit.
Më 2 gusht, për herë të parë në Kosovë vjen ylli botëror Shawn Mendes! Fitues i “MTV Europe Music Awards” dhe me një prej zërave më të njohur të pop-it botëror, ka mbushur arena si “O2” në Londër e “Madison Square Garden” në Nju Jork. Performanca e tij në “Rock in Rio” përpara mbi 100 mijë vetave është vetëm një shembull i magjisë që Shawn Mendes sjell në skenë.
Po atë natë, në C4, do të performojë Mochakk, DJ-i brazilian që po pushton botën me stilin funky e ekspresiv. Nga “Coachella” në “Primavera Sound”, ai është renditur vitin e kaluar në Top 100 DJ me të mirë të botës.
Natën e fundit, skena kryesore i takon performancës audiovizuale nga Anyma – projekti solo i Matteo Milleri. Një përvojë e re e muzikës elektronike që veçohet për kombinimin me artin vizual duke tejkaluar kufijtë e zakonshëm e një performance.
Ndërsa në C4, festivali përmbyllet me sensacionin global Peggy Gou, DJ dhe producente e superhitit “(It Goes Like) Nanana” dhe shumë hiteve tjera.