
Superkompjuteri parashikon fituesin e Premier Ligës
Premier League njihet prej vitesh si kampionati më emocionues në botë, ku parashikimet për fituesin janë gjithmonë sfiduese. Megjithatë, në vitet e fundit triumfet janë ndarë vetëm mes Manchester City dhe Liverpool, me “The Reds” që tashmë kërkojnë të mbrojnë titullin e fituar sezonin e kaluar. Një superkompjuter anglez nuk i jep shanse Manchester United, duke nxjerrë tre kandidatët kryesorë për titullin.
Liverpool fitoi titullin në sezonin e parë me trajnerin Arne Slot dhe është forcuar shumë në merkato, duke shpenzuar mbi 240 milionë euro për blerjet e reja. Shtesa si Wirtz nga Bayer Leverkusen, Ekitiké nga Eintracht dhe Frimpong nga Holanda do t’i japin më shumë fuqi “Reds”-ave, megjithëse ata humbën mbrojtësin e rëndësishëm Alexander-Arnold. Sipas superkompjuterit, Liverpool ka 28.5% shans për të fituar përsëri titullin dhe për të bërë dopietën.
Në letër, rivaliteti më i madh për Liverpool shihet te Manchester City, por Arsenal duket si pretendenti i dytë kryesor. Pas tri vendeve të dyta radhazi dhe një gjysmëfinale në Champions League, skuadra e Artetës ka zgjidhur problemin kryesor me blerjen e sulmuesit suedez Viktor Gyokeres, i cili shënoi gati një gol për ndeshje me Sporting. Arsenal ka një probabilitet prej 24.2% për të fituar titullin, duke qenë afër kampionëve në fuqi.
Manchester City, që kaloi një sezon të vështirë pa trofe dhe me kualifikim të fundit për në Champions, ka 18.8% shanse për ta rikthyer titullin. Skuadra e Pep Guardiolës është forcuar me blerjen e Reijnders nga Milani dhe rikthimin e Rodrit, si dhe disa përforcime të tjera, përfshirë Ryan Cherki nga Lyon. Chelsea, fitues i Kupës së Botës për Klube dhe i Conference League, ka rreth 8% mundësi për të triumfuar.
Në fund, tre skuadrat e promovuara nga Championship, Burnley, Sunderland dhe Leeds, janë kandidatët kryesorë për rënien nga elita.