Superkompjuteri zbulon shanset e Kosovës, Turqisë, Sllovakisë dhe Rumanisë për t’u kualifikuar në Kupën e Botës
Platforma për statistika të aplikuara në futboll, probabilitete, renditje, simulime, si dhe analizë të të dhënave, Football Meets Data ka publikuar shanset e kombëtares së Kosovës, por edhe kombëtareve tjera nga rruga C, për të kaluar në finale dhe për t’u kualifikuar në Kupën e Botës 2026.
Gjatë ditës së djeshme (e enjte) u hodh shorti në Cyrih të Zvicrës për të caktuar çiftet gjysmëfinale dhe finale të mundshme të fazës ‘play-off’ për kualifikim në Kampionatin Botëror të vitit të ardhshëm.
Kombëtares së Kosovës i ra shorti të ndeshet me Sllovakinë në ndeshjen gjysmëfinale, e cila pritet të luhet në Bratislavë, teksa në rast fitoreje do të jetë nikoqir në finale me fituesin e ndeshjes Turqi-Rumani.

Pas shortit, janë publikuar tashmë edhe disa simulime mbi shanset e secilës kombëtare për të kaluar në finale apo për të siguruar kualifikimin në Kupën e Botës.
Sipas Football Meets Data, Kombëtarja e Turqisë shihet si favorite e rrugës C, pasi në gjysmëfinale ka plotë 83 për qind shanse për të fituar, ndërsa 48 për qind për t’u kualifikuar në Kupën e Botës.
Kombëtarja e Sllovakisë shihet pak më favorite se Kombëtarja e Kosovës, pasi ka 58 për qind shanse për të fituar në gjysmëfinale, kundrejt 42 për qind të Kosovës.
Dardanët kanë shanse prej 20 për qind për të siguruar kualifikimin në botëror, ndërsa sllovakët 26 për qind gjasa.
Kombëtarja me gjasat më të vogla për të fituar në gjysmëfinale dhe për të siguruar kualifikimin në botëror është Rumania, me 17 për qind shanse për ndeshjen e parë dhe vetëm 6 për qind për finalen.
Ndryshe, ndeshjet gjysmëfinale janë paraparë të zhvillohen më datë 26 mars 2026, ndërsa ato finale më 31 mars. /Telegrafi




