Superliga: Dy ndeshje në fundjavë, tri të hënën
Vetëm dy ndeshje do të luhen në fundjavë, në kuadër të javës së 23-të të Superligës së Kosovës në futboll. Për shkak të ndeshjeve të Kupës së Kosovës që janë zhvilluar në mesjavë, tri duele të kësaj xhiroje do të luhen të hënën e javës që po vjen, ndërsa dy të tjera janë nesër (e shtunë) dhe pasnesër (e diel).
Dueli i parë i kësaj jave luhet nesër (e shtunë) në Gjilan, ndërmjet Dritës dhe Prishtinës së Re, duke nisur nga ora 13:00.
Gjilanasit që do të luajnë vetëm për ta mbrojtur titullin e kampionit, janë në vendin e dytë, por me pikë të barabarta sa lideri Ballkani, gjithsej, 39.
Në letër janë favoritë ndaj skuadrës debutuese në Superligë, por që Prishtina e Re, pas rezultateve të mira është larguar nga fundi i tabelës me 22 pikë, lufton bashkë me katër skuadra të tjera për të mbijetuar.
Ndërsa pasnesër (e diel) në orën 13:00, Drenica e cila tashmë e përmbyll renditjen me vetëm 21 pikë dhe pa fitore pesë ndeshjet e fundit kthehet në Skenderaj dhe e pret Dukagjinin e mesit të tabelës.
Të hënën, zhvillohen tri duele shumë interesante nga ora 13;00. Malisheva e pret Prishtinën, Ferizaj është nikoqir i Gjilanit dhe Llapi luan në shtëpi kundër Ballkanit.



