Superliga e Kosovës rikthehet këtë fundjavë

25 tetor 2025 | 09:12

Superliga e Kosovës rikthehet këtë fundjavë me xhiron e dhjetë, e cila në përbërje të saj ka disa ndeshje interesante.

Tri ndeshje do të luhen gjatë ditës së shtunë, teksa dy ndeshje tjera do të luhet ditën e diel. Ballkani do t’i bëjë konak Gjilanit në Suharekë.

Portokallezinjtë nga Suhareka hyjnë në këtë ndeshje pas fitores ndaj Dukagjinit, me shifrat prej 2-0.

Ndërkohë, Gjilani fitoi minimalisht ndaj Prishtinës së Re, në debutimin e trajnerit të ri, Debatik Currit.

Në ndeshjen paraprake në këtë edicion, e luajtur në xhiron e parë, Gjilani e Ballkanin barazonin 1-1.

Prishtina e Re në anën tjetër e pret Malishevën në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan.

E promovuar këtë edicion në elitë, Prishtina e Re është e fundit në tabelë, teksa fitoren e parë në Superligë e ka pikërisht ndaj Malishevës, në xhiron e parë.

Megjithatë që atëherë, Prishtina e Re arriti vetëm katër pikë të tjera në tetë ndeshjet e ardhshme.

Malisheva u mposht nga Drita xhiron e kaluar, duke pësuar humbjen e dytë radhazi dhe të pestën këtë edicion në Superligë.

Nën dritën e reflektorëve në “Fadil Vokrri”, Prishtina e Dukagjini përballen me njëra-tjerën.

Liderja e tabelës, Prishtina do të ketë punë me Dukagjinin problematik të Ismet Munishit.

Prishtina ka pesë fitore radhazi në Superligë, ndërsa së fundmi e mposhti Drenicën në Skënderaj 4-3.

Pas një starti të mirë nga Dukagjini, duke fituar 13 pikë nga gjashtë ndeshjet e para, skuadra e drejtuar nga Ismet Munishi është pa fitore në tri ndeshjet e fundit, duke marrë një barazim e duke pësuar dy humbje.

Në ndeshjen e parë të këtij sezoni të ri, Prishtina e fitoi duelin 3-2 në stadiumin “18 Qershori” në Klinë.

Momentalisht, Prishtina i prin tabelës me 22 pikë, katër më shumë se Ballkani që është i dyti. Dukagjini është i treti me 14 pikë, aq sa ka edhe Drita në vendin e katërt.

Zona e barazhit i takon Gjlanit që ka dhjetë pikë. Dhjetë sosh i ka edhe Ferizaj në pozitën e nëntë, teksa e fundit në renditje është Prishtina e Re me vetëm shtatë pikë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Agron Hoti 1) James Rubin shprehu qëndrimin amerikan për…