
Superliga Evropiane po merr fund? Al-Khelaifi: Duam që edhe Reali të kthehet tek ne
Presidenti i Paris Saint-Germain, Nasser Al-Khelaifi, i ka dërguar një mesazh të qartë Real Madridit, duke e ftuar klubin spanjoll të heqë dorë nga ideja e Superligës Evropiane dhe të rikthehet në “familjen e futbollit”.
Real Madridi mund të mbetet skuadra e vetme aktive për projektin e Superligës Evropiane, pasi edhe Barcelona po konsideron të largohet për të ndjekur rrugën e të gjithë gjigantëve tjerë evropianë.
Gjatë Asamblesë Vjetore të Shoqatës Evropiane të Klubeve (EFC) në Romë, Al-Khelaifi theksoi rëndësinë e unitetit në futbollin evropian.
“Ne jemi një familje. Duam që të gjithë të jenë pjesë e saj – edhe Real Madridi. Ky është shtëpia e tyre, shtëpia e të gjithëve”.
Këto deklarata vijnë ndërkohë që Real Madridi, nën drejtimin e presidentit Florentino Perez, mbetet klubi i vetëm i madh që ende mbron idenë e krijimit të Superligës Evropiane – një projekt që u rrëzua në vitin 2021 pas reagimeve të ashpra nga tifozët, klubet dhe organizatat ndërkombëtare.
Superliga, e prezantuar në prill të vitit 2021 nga 12 prej klubeve më të mëdha evropiane dhe e mbështetur financiarisht nga JP Morgan, kishte për qëllim krijimin e një gare të mbyllur me 20 ekipe që do të zëvendësonte Ligën e Kampionëve.
Struktura e saj, që garantonte vende të përhershme për 15 klube pa mundësi rënieje, u kritikua gjerësisht si një sulm ndaj meritës sportive dhe frymës së garës.