
Superliga rikthehet nesër me super-derbin Ballkani-Drita
Superliga e futbollit do të rikthehet këtë mesjavë, më saktësisht të enjten, me ndeshjet e xhiros së gjashtë.
Super-derbi i kësaj xhiroje do të jetë ai mes Ballkanit dhe Dritës, i cili do të luhet në Suharekë.
Therandasit janë të vetmit që nuk kanë pësuar ende humbje në këtë fillim-sezoni dhe do të mundohen t’i mbajnë të tria pikët në shtëpi.
Kurse, kampionët pas fitores së parë në fundjavën që shkoi, do të mundohen të vazhdojnë me rezultate pozitive.
Një tjetër sfidë interesante pritet të jetë edhe ajo mes Dukagjinit dhe Llapit.
Klinasit e kanë nisur mjaft mirë sezonin dhe gjenden në krye të tabelës, të cilën e ndajnë me Prishtinën.
Prandaj, trupa e Ismet Munishit llogarit në tri pikë në përballje me llapjanët.
Nga ana tjetër, skuadra e Tahir Batatinës nuk e ka nisur aspak mirë edicionin 2025/26 dhe nuk e ka shijuar ende fitoren, duke i regjistruar tri barazime e dy humbje për ta parë veten në vendin e fundit në tabelë.
Katër ndeshje do të luhen prej orës 15:00, kurse derbi kryeqytetas mes Prishtinës dhe Prishtinës së Re do të luhet nën dritat e reflektorëve në mbrëmje duke nisur nga ora 20:15 në stadiumin “Fadil Vokrri”.