
Supremja pranon ankesën e AAK-së për Junikun, PZAP-ja detyrohet ta shqyrtojë kërkesën për rivotim
Kolegji i Gjykatës Supreme e ka pranuar si të bazuar ankesën e subjektit politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me seli në Junik, dhe ka prishur vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ZL.Anr.217/2025, të datës 15.10.2025. Çështja është kthyer në rivendosje, në PZAP.
Pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kishte hedhur si të palejuar ankesën e subjektit politik AAK, kjo e fundit ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, duke propozuar, mes tjerash që “të shpallen të paligjshme zgjedhjet komunale dhe Komuna e Junikut të shkojë në rivotim për shkak të shkeljeve të cekura në ankesë, të cilat kanë ndikuar në rezultatin zgjedhor”.
Gjykata Supreme e Kosovës, nuk e ka pranuar si të drejtë dhe të ligjshëm qëndrimin e PZAP, lidhur me hedhjen poshtë si të pa lejuar të ankesës të parashtruar nga subjekti politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me seli në Junik, duke konsideruar se ankesa është dashtë të trajtohet në bazë të meritave dhe jo të hedhet poshtë si e palejuar.
Ndaj, Kolegji i Gjykatës Supreme, përmes aktgjykimit AA.nr.92/2025 ka kërkuar nga PZAP që në rivendosje, t’i evitojë shkeljet e evidentuara ligjore dhe të vendos në mënyrë meritore lidhur me ankesën e subjektit politik AAK.