Supremja refuzon ankesën e LV-së, 6 mijë euro gjobë për përfshirje të fëmijëve në fushatë

12 qershor 2026 | 16:06

Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje (LV) ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke lënë në fuqi gjobën prej 6 mijë eurosh të shqiptuar për shkelje të rregullave zgjedhore gjatë fushatës për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit 2026.

Rasti lidhet me pjesëmarrjen e të miturve në dy tubime zgjedhore të organizuara nga LV-ja më 3 qershor në Podujevë dhe Lipjan. Ankesat ishin paraqitur nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ndërsa PZAP-i kishte konstatuar se përfshirja e fëmijëve në këto aktivitete përbënte shkelje të nenit 5, paragrafi 3 të Rregullores Zgjedhore Nr. 07/2024.

Në ankesën e saj, LV-ja kishte argumentuar se rregullorja nuk ndalon praninë e të miturve në aktivitete politike, por vetëm angazhimin aktiv të tyre nga subjektet politike, duke pretenduar se një angazhim i tillë nuk ishte dëshmuar në rastin konkret.

Megjithatë, pas shqyrtimit të rastit, Gjykata Supreme ka vlerësuar se PZAP-i kishte zbatuar drejt dispozitat ligjore dhe se qëllimi i rregullores është mbrojtja e të miturve nga përfshirja në aktivitete politike dhe zgjedhore.

Sipas Supremes, interpretimi i dispozitës duhet të mbështetet në interesin më të mirë të fëmijës dhe në standardet vendore e ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Gjykata Supreme ka theksuar  se përgjegjësia e subjektit politik nuk shmanget edhe në rastet kur të miturit kanë marrë pjesë të shoqëruar nga prindërit ose me iniciativë personale.

Po ashtu, Gjykata Supreme ka konstatuar se gjatë caktimit të masës ndëshkuese, PZAP-i kishte marrë parasysh natyrën e shkeljes, ndikimin e saj të mundshëm në procesin zgjedhor, si dhe faktin se LV-ja ishte njoftuar më herët me obligimet ligjore dhe kishte pasur sanksione të mëparshme për shkelje të ngjashme.

Për rrjedhojë, Gjykata Supreme ka lënë në fuqi vendimin e PZAP-it dhe ka refuzuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje si të pabazuar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kampioni i Evropës, Paris Saint-Germain thuhet se dëshiron të bëjë…