
Supremja rrëzon vendimin e PZAP’së për Junikun, pritet të shqyrtohen ankesat e AAK’së
Gjykata Supreme ka nxjerrë aktvendim që ta rrëzojë vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe atë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) lidhur me ankesat e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për parregullsitë e pretenduara zgjedhore në Komunën e Junikut.
Në aktvendim thuhet se Supremja ka vendosur që këtë vendim ta kthejë në rivendosje, nën argumentimin se ankesa e AAK’së nuk është shqyrtuar në mënyrë meritore.
“Nga interpretimi i dispozitave të lartcekura, Gjykata Supreme e Kosovës vlerëson se PZAP, gabimisht ka vendosur kur e ka hedhur poshtë ankesën e ankuesit për faktin se nga pretendimet që dalin nga ankesa, i njëjti është ankuar për procesin dhe parregullsitë gjatë ditës së votimit dhe jo kundër rezultateve preliminare të tabuluara nga KQZ, ashtu siç ka pretenduar PZAP në vendimin e atakuar”, thuhet në aktvendimin e Supremes.
Supremja tutje thotë se kjo ankesë nuk është ushtruar kundrejt rezultateve preliminare nga KQZ’ja por kundër subjektit politik LDK për parregullsitë gjatë ditës së zgjedhjeve.
Gjykata tutje udhëzon PZAP’në që t’i evitojë shkeljet e theksuara dhe të vendos në mënyrë meritore për ankesën e AAK’së.