Supremja shfuqizon udhëzimin administrativ të Ministrisë së Muratit që kufizonte të drejtën e veteranëve të UÇK-së për kompensim financiar

28 tetor 2025 | 14:20

Gjykata Supreme e ka shfuqizuar nenin e Udhëzimit Administrativ Nr.01/2025, që kufizonte të drejtën e veteranëve për kompensim financiar.

Supremja, gjatë shqyrtimit të ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe anëtarëve të familjeve të tyre, ka vlerësuar se me ndryshimet dhe plotësimet e fundit të ligjit është krijuar një paqartësi dhe konfuzion juridik në raport me ekzistimin ose jo të marrëdhënies së punës si kriter për përfitimin e së drejtës ligjore të kompensimit financiar.

“Në analizë të përmbajtjes së dispozitave të ndryshuara, gjykata konstaton se riformulimi i nenit bazik ka krijuar pasiguri lidhur me pyetjen nëse kjo e drejtë u takon vetëm atyre që janë të punësuar në sektorin privat apo edhe atyre që janë të punësuar në sektorin publik. Në këtë drejtim, gjykata ka interpretuar nenin 16A, paragrafi 5 të ligjit të ndryshuar, i cili përcakton se: ‘Veteranët e luftës së UÇK-së që punojnë jashtë institucioneve që paguhen nga buxheti i Republikës së Kosovës, si dhe jashtë ndërmarrjeve publike, do të gëzojnë njëtrajtshëm deri në 50 për qind të shumës së paraparë, por që në total nuk do të kalojë 0.7 për qind të Bruto Prodhimit Vendor”, është thënë në njoftimin e Supremes.

Më tutje, kjo gjykatë ka vlerësuar se ligjdhënësi ka dashur të përjashtojë nga përfitimi i kompensimit vetëm ata persona që janë të punësuar në institucione që financohen nga buxheti i Republikës së Kosovës apo në ndërmarrje publike, ndërsa ata që janë të punësuar jashtë sektorit publik, përkatësisht në sektorin privat, gëzojnë të drejtën e kompensimit në përputhje me kufijtë e përcaktuar ligjorë.

Ndër të tjera, në vendim është thënë se e drejta për përfitim nga kjo kategori ligjore nuk varet nga ekzistenca e marrëdhënies së punës në përgjithësi, por nga natyra e punëdhënësit dhe burimi i financimit të pagës, pra, nëse ai burim është apo jo buxheti i shtetit.

Gjykata ka vlerësuar se kërkesa e Ministrisë së Financave për paraqitjen e dokumentit të lëshuar nga Administrata Tatimore e Kosovës, e përcaktuar në udhëzimin kontestues që dëshmon se veterani “nuk është në marrëdhënie pune”, si kusht për përfitimin e kompensimit, është në kundërshtim me rregullimin e ri ligjor.

“Prandaj, Gjykata Supreme vlerëson se dispozita nënligjore ose udhëzimi administrativ që kërkon një vërtetim të tillë në formën aktuale, duhet të shfuqizohet ose të harmonizohet me përmbajtjen e ligjit të ndryshuar, me qëllim që të sigurohet përputhshmëria vertikale e akteve juridike dhe të garantohet zbatimi i drejtë dhe i njëtrajtshëm i ligjit.  Në përfundim, Gjykata konstaton se përcaktimi ‘nuk është në marrëdhënie pune’ bie ndesh me rregullimin e ri ligjor të paraparë në nenin 16A, paragrafi 5 të Ligjit, dhe për këtë arsye, nuk mund të shërbejë si kriter ligjor për kufizimin e së drejtës së veteranëve të UÇK-së për përfitim financiar, për aq sa ata nuk paguhen nga buxheti i Republikës së Kosovës”, është thënë në njoftimin e Supremes.

Me hyrjen në fuqi të Ligjit Nr. 05/L-141, Ministria e Financave ka qenë e obliguar që të harmonizojë udhëzimet administrative me ndryshimet ligjore.

 

Mosndryshimi i Udhëzimit Administrativ nr.01/2015, përkundër ndryshimeve të ligjit që kanë ndodhur më vonë respektivisht në vitin 2017, dhe lënia në fuqi e dispozitës nga neni 14.A, paragrafi 1.5, e Udhëzimit kontestues të vitit 2015, bie në kundërshtim me ligjin cenon sigurinë juridike dhe krijon pasiguri për të drejtat e garantuara me ligj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përjetoni të ardhmen e argëtimit me modelin flagship Samsung Neo…