Suspendohen katër policë në dy raste të ndara

14 korrik 2025 | 16:04

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) i ka rekomanduar policisë që t’i suspendojë katër zyrtarë të saj, për dy raste të ndara, në Ferizaj dhe Prishtinë. IPK-ja ka njoftuar se në rastin e parë fillimisht Policia e Kosovës kishte pranuar informacion të dielën mbrëma për një incident në një fshat të Ferizajt ku dyshohej se një i mitur ishte sulmuar dhe kanosur me armë nga një person me rroba civile e që është prezantuar si zyrtar policor.

“Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, kurse më vonë personi i dyshuar është identifikuar si zyrtar policor (jashtë detyrës zyrtare) dhe i njëjti është vet-paraqitur në stacion policor pas incidentit. Në interes të hetimit IPK i ka rekomanduar policisë suspendimin për zyrtarin në fjalë kurse rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj me dyshimin për veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’”, ka njoftuar IPK-ja.

Në rastin tjetër, IPK-ja në interes të hetimit ka rekomanduar suspendimin për tre zyrtarë policorë, ndërsa incidenti ku dyshohet se janë të përfshirë si të dyshuar zyrtarët raportohet të ketë ndodhur para mesnatës së 30 qershorit  në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë.

Hetimet lidhur me këtë rast ndaj tre zyrtarëve policorë janë duke u zhvilluar në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë në procedurë të rregullt më dyshimin për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorinë pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e dy rasteve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur vendimin për rastin e…