
Sveçla: Afër 700 afganë janë strehuar në Kosovë
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka bërë me dije se deri më tani në Kosovë janë strehuar përkohësisht 683 shtetas afganë.
Sveçla ka treguar se përveç kampit “Bechtel-Enka” në Ferizaj, afganët tani po strehohen edhe në kampin ushtarak amerikan, “Bondsteel”. Aty, aktualisht janë strehuar 91 afganë.
Po ashtu, ministri Sveçla ka bërë me dije për “Radion Evropa e Lirë” se sipas planit, ardhja e qytetarëve afganë do vazhdojë edhe gjatë kësaj jave.
Më herët, autoritetet kosovare kanë bërë të ditur se do të strehojnë rreth 2,000 shtetas afganë të cilët kanë punuar me Shtetet e Bashkuara dhe me shtetet anëtare të NATO-s.
Sipas ligjeve në fuqi, Kosova u ka dhënë qëndrim të përkohshëm deri në një vit.
Ata pritet të qëndrojnë përkohësisht në Kosovë derisa t’iu rregullohen dokumentacionet për t’u vendosur përfundimisht në Shtetet e Bashkuara ose në ndonjë shtet anëtar të NATO-s.
Grupi i parë i afganëve arriti në Kosovë më 29 gusht.