
Sveçla: Serbia po kryen spastrim etnik ndaj shqiptarëve në Luginë, faktori ndërkombëtarë duhet ta ndalojë
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme (MPB), Xhelal Sveçla, ka thënë se Serbia po kryen spastrim etnik ndaj shqiptarëve në komunat të banuara me shumicë shqiptare, përkatësisht në Luginën e Preshevës – për çfarë ka vlerësuar se faktori ndërkombëtar duhet ta ndalojë.
Mes tjerash, ai ka thënë se mbi 5 për qind e policëve kosovarë janë të etnisë serbe, ndërsa shqiptarët s’pranohen në konkurset policore në komunat ku janë shumicë etnike.
“10% e totalit të Policisë së Kosovës janë nga radhët e komuniteteve dhe mbi 50% prej tyre janë nga radhët e komunitetit serb. Në 3 proceset e fundit, të veçanta për komunitetet, janë inkuadruar 210 pjesëtarë të rinj nga po ky komunitet. Në konkursin e fundit të policisë në Serbi, nga 43 policë të pranuar në Preshevë dhe Bujanoc asnjëri nuk është shqiptar. E po ashtu nga 22 policë sa janë në Medvegjë, asnjëri prej tyre nuk është shqiptar. Kjo dëshmon qasjen tonë për integrim e bashkëpunim me qytetarët e komunitetit serb që jeton në Kosovë ndërsa Serbia çdo ditë e më shumë po shpërfaq qasjen e saj diskriminuese ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, që në thelb ka spastrimin etnik të tyre. Ky spastrim etnik që Serbia po ua bën në çdo formë shqiptarëve që jetojnë në Luginë të Preshevës, duke ua shkelur rrjedhimisht çdo të drejtë elementare të tyre, duhet ndëshkuar e ndalur menjëherë nga faktori ndërkombëtar”, ka shkruar Sveçla në “Facebook”.