
Sveçla takohet me komandantin e KFOR-it, misioni i NATO-s nuk i përmend asnjë funksion zyrtarit të LV-së
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është takuar me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani.
Në njoftimin për medie, misioni i NATO-s ka treguar se në takim është diskutuar për situatën aktuale të sigurisë në Kosovë.
Në këtë komunikatë, KFOR-i deputetit të LV-së nuk ia ka përmend asnjë funksion politik, duke iu referuar vetëm si “z. Xhelal Sveçla”.
“Sot, komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, gjeneralmajor Enrico Barduani, u takua me z. Xhelal Sveçla dhe z. Elbert Krasniqi në Prishtinë. Diskutimi u fokusua kryesisht në situatën aktuale të sigurisë në Kosovë dhe në bashkëpunimin institucional. Në këtë kontekst, gjeneral Barduani përsëriti përkushtimin e vazhdueshëm të KFOR-it për të kryer misionin e tij për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, është thënë në komunikatën e KFOR-it, duke treguar për mandatin që ka misioni i NATO-s.
“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Sundimit të Ligjit të Bashkimit Evropian në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, është thënë në komunikatë.