
Sveçla urdhëron hetim për lëshimet e mundshme të policisë në rastin e Gjilanit
Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se çdo pjesëtar i Policisë së Kosovës do të mbajë përgjegjësi për lëshime të mundshme lidhur me rastin e vrasjes së trefishtë që ndodhi dje në Gjilan.
Ai bëri me dije se ka urdhëruar Inspektoratin Policor të Kosovës të hetojë çdo neglizhencë apo përfshirje të mundshme të ndonjë zyrtari policor në veprimtarinë kriminale të Mefail Shkodrës, i shpallur në kërkim për këtë ngjarje të rëndë.
“Brenda kompetencave të mia kam urdhëruar Inspektoratin Policor të Kosovës që të angazhohet në hetimin e çdo lëshimi apo përfshirjeje të mundshme të ndonjë pjesëtari të Policisë së Kosovës në veprimtarinë kriminale të Mefail Shkodrës, i shpallur në kërkim për vrasjen e trefishtë në Gjilan”.
“Në çdo deklarim publik dhe në çdo takim me mekanizmat që drejtoj, kam theksuar dhe kërkuar angazhimin maksimal të të gjitha strukturave për garantimin e integritetit personal dhe profesional të çdo shërbyesi publik në vendin tonë. Vazhdoj të jem i pakompromis në këtë drejtim dhe mbështes çdo formë të koordinimit ndërinstitucional që siguron institucione kredibile, të besueshme dhe plotësisht në shërbim të qytetarëve tanë. Askush nuk është i paprekshëm apo i pandëshkueshëm veçanërisht brenda një institucioni që ka për mandat parandalimin, hetimin dhe luftimin e çdo veprimtarie ilegale në vendin tonë”, ka shkruar ai në “Facebook”.
“Pres që me të njëjtën vendosmëri të veprojnë edhe hallkat tjera të sistemit, veçanërisht drejtësinë, në mënyrë që qytetarët tanë të jetojnë dhe të zhvillohen në një Republikë ku sundojnë siguria, rendi dhe ligji”, ka shkruar Sveçla.