Sveçla v.s. Merkoja, pasi PZAP ia hodhi poshtë ankesën Ministrit, simpatizanti i LDK-së i drejtohet AIP

13 nëntor 2025 | 16:29

Të dielën ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një rrugë të Prishtinë u ndal dhe e fotografoi një aktivist të LDK’së që në setrën e tij po mbante emblemën e kësaj partie. Art Merkoja tha se një gjë e tillë u bë pa pëlqimin e tij, ndërsa Sveçla e “denoncoi” rastin në Facebook si shkelje të rregullores zgjedhore. Ankesa në PZAP iu refuzua Sveçlës, kurse Merkoja i është drejtuar Agjencisë për Informim dhe Privatësi. AIP ka thënë për Express se fotografimi pa pëlqim paraprak mund të jetë i ligjshëm vetëm në dy raste.

Aktivisti i LDK’së, Art Merkoja, është përballur me ministrin Sveçla ditën e balotazhit. Ministri i ka thënë se nuk lejohet që Merkoja të bartë emblemën e LDK’së te shkolla.

“Kjo nuk lejohet, LDK te shkolla nuk lejohet, rreth shkollës nuk lejohet”, i tha Sveçla e më pas e fotografoi.

Merkoja iu kundërpërgjigj duke i thënë se nuk i lejohet ta fotografojë dhe e paralajmëroi që do t’i ndjekë rrugët ligjore.

“Ti me më fotografu nuk lejohet, ministër duhesh me i ditë ligjet ma i mirë, shihemi në gjykatë Xhelal”, ia ktheu ai.

Sveçla reagoi në Facebook duke shkruar: ‘Institucionalistët’ në shkelje të ligjit për zgjedhjet para qendrës së votimit me simbol partiak. Panik!

Merkoja të hënën në emisionin “Frontal” të T7 tha se LDK ka dorëzuar padi në PZAP dhe do të ndjekin rrugë tjera ligjore.

“Sot më së pari është dorëzu ankesa në PZAP, ku LDK ka bërë ankesën dhe konform kësaj do të vazhdojmë edhe me rrugë tjera ligjore”, tha ai.

Në një përgjigje për Gazetën Express, Agjencia për Informim dhe Privatësi, dje ka thënë se janë njoftuar për rastin përmes raportimeve në media dhe se deri dje nuk kanë pranuar ankesë.

AIP shton se sipas Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale “çdo fotografim i një personi të identifikueshëm përbën përpunim të të dhënave personale. Një veprim i tillë mund të jetë i ligjshëm vetëm nëse ekziston një bazë ligjore – si p.sh. pëlqimi i personit të fotografuar ose ushtrimi i një kompetence zyrtare të përcaktuar me ligj”.

Mbrëmë Merkoja njoftoi se PZAP e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Sveçlës ndaj tij.

“Refuzohet si e pabazuar ankesa e Xhelal Sveçlës dhe e VV-së ndaj meje. Gjithçka është e pastër dhe e drejtë sipas ligjit.”

Ai njoftoi se ka bërë ankesë në AIP.

“Unë kam bërë edhe një ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi. Integriteti personal dhe edukata janë të shenjta! Falënderoj të gjithë anëtarësinë e LDK-së dhe qytetarët për mbështetjen e jashtëzakonshme që më ofruan. Fitorja e madhe e LDK-së po vjen!”

Pas publikimit të pamjeve, LDK doli me një komunikatë duke e dënuar ashpër sjelljen e Sveçlës.

“Lidhja Demokratike e Kosovës dënon ashpër sjelljen e papranueshme, arrogante dhe kërcënuese të deputetit Xhelal Sveçla ndaj një aktivisti tonë, i cili po qëndronte qetësisht në trotuar. Përveç tjerash ka ndaluar atë dhe e ka fotografuar pa pëlqimin e tij, veprim ky i ndaluar me ligj dhe përbën shkelje të të drejtave themelore të qytetarëve.”

Ndërsa, Albert Krasniqi nga Demokracia Plus të dielën tha se Merkoja s’ka bërë shkelje të rregullave zgjedhore.

“Sipas rregullave zgjedhore të KQZ-së, hapësira e Qendrave të Votimit ku ndalohet të shfaqen materiale të fushatës zgjedhore përfshin vetëm hapësirën e brendshme të qendrës deri në rrethojat e saj. Në ligjin e mëparshëm për zgjedhje, kufizimi ishte deri në 25 metra nga dera e hyrjes së ndërtesës, por ajo dispozitë tashmë nuk është më në fuqi. Edhe nëse do të kishte ndonjë shkelje, raportimi duhet të bëhet në institucionet përkatëse – jo të merret vet në dorë zbatimi i ligjit” ka thënë Krasniqi.

“Sot, Ministri i Punëve të Brendshme, në vend se të garantojë rendin dhe sigurinë për të gjithë qytetarët njësoj, fotografon dhe kërcënon një zyrtar të një partie politike që po kalonte rrugës pranë një qendre votimi – pa asnjë shkelje të rregullave zgjedhore. Ky veprim është i papranueshëm dhe bie ndesh me parimet themelore të neutralitetit institucional gjatë procesit zgjedhor”, ka shtuar ai. /GazetaExpress/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kombëtarja e Kosovës po vazhdon me intensitet përgatitjet për ndeshjen…