
Syla kërkon rritje 50 për qind të pagave për punëtorët shëndetësorë
Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, pas protestave të organizuar ditë më parë, sot është takuar me anëtarët e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.
Kryesindikalisti Blerim Syla ka bërë me dije se urgjent duhet të rregullohet çështja e pagesës së mjekëve dhe infermierëve, ndërsa ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të rriten pagat për profesionistët shëndetësorë për 50 për qind deri të miratohet Ligji për paga, në të kundërtën, ai u shpreh se nëse kjo nuk ndodh nga janari nuk do të mund t’i mbajnë nën kontroll stafin shëndetësor për veprimet e tyre.
Ai ka thënë se frustrimi dhe pakënaqësia në mes punëtorëve shëndetësorë është rritur edhe pas refuzimeve të ekzekutivit për të diskutuar me ta.
“Refuzimi i takimit nga ana e qeverisë ka irrituar punëtorin shëndetësor. Kam frikë se këto ditë përfundojnë dhe vjen janari ku pakënaqësitë rriten, ndërkaq ne nuk jemi në gjendje ta mbajmë situatën në kontroll”, ka thënë Syla.
Para anëtarëve të Komisionit të Shëndetësisë, Syla ka thënë se mjekët janë ndjerë të ofenduar pasi është vendosur që edhe do ta deklarojnë pasurinë.
Duke folur për Ligjin e pagave i cili nuk është buxhetuar as për vitin 2022, kryesindikalisti Blerim Syla ka kërkuar nga anëtarët e këtij Komisioni që të të bëhet një Ligj i pagave vetëm për profesionistët shëndetësorë.