Sylë Ukshini: 26 vjet më parë u nënshkrua marrëveshja KFOR-UÇK

21 qershor 2025 | 09:54

Për herë të parë në historinë e NATO-s, ajo nënshkroi një marrëveshje ushtarake formale me një grup të armatosur joshtetëror, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). “Angazhimi për Çmilitarizim” shënoi fillimin e transformimit të UÇK-së.

Marrëveshja KFOR-UÇK nuk ishte thjesht një armëpushim. Ajo përfaqësonte njohjen ndërkombëtare të UÇK-së si forcë negociuese dhe si faktori i vetëm politik i shqiptarëve me të cilin NATO u kordinua në terren që nga 11 qershori, kur trupat e saj hynë në Kosovë. NATO pranoi të koordinojë dhe të monitorojë së bashku procesin e çmilitarizimit. Përmes kësaj, Kosova respektoi zotimet ndërkombëtare të marra në Rambuje.

Neni 25 i marrëveshjes hapi një derë historike: formimin e ardhshëm të Ushtrisë së Kosovës, e modeluar sipas Gardës Kombëtare të SHBA-së, si pjesë e trajektores politike të Kosovës.

Për UÇK-në, ky ishte një moment legjitimiteti: nga një forcë guerile në partner të NATO-s. Marrëveshja vendosi themelet për Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK), një trup ndërkombëtarisht i njohur që trashëgoi udhëheqësinë e UÇK-së.

Kjo marrëveshje përfaqësonte një moment themelor për sektorin e sigurisë së Kosovës: duke lidhur legjitimitetin, çmilitarizimin dhe koordinimin ndërkombëtar. Nga këto 8 faqe lindi rruga drejt forcave të armatosura të Kosovës.

Marrëveshja KFOR–UÇK ishte më shumë se çarmatim. Ishte hapi i parë i Kosovës nga kryengritja drejt ndërtimit të shtetit të menaxhuar ndërkombëtarisht, me NATO-n si “mami politike”. Një rast unik në diplomacinë e konflikteve moderne.

Kundër kësaj marrëveshje që linte hapur mundësinë a krijimit të Ushtrisë së Kosovës në periudhën kishte reaguar si Beogradi ashtu edhe Moska. Ambasadori rus në OKB, Sergej Lavrov me 15 shtator 1999 i dërgoi një letër Sekretarit të Përgjithshëm të OKB- së, Kofi Annan, përmes së cilës ai pretendonte se ishte shkelur Rezoluta 1244. Ndër të tjera Lavrov shkruante: “I nderuar Zoti Sekretar i Përgjithshëm,

Në përputhje me diskutimet tona të fundit në Këshillin e Sigurimit, dëshiroj të ripërsëris me shkrim qëndrimin e Federatës Ruse mbi çështjet e çmilitarizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe të riintegrimit të luftëtarëve të saj në jetën civile.

Një nga objektivat kryesore të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, në Republikën Federale të Jugosllavisë, si dhe të pranisë ndërkombëtare të sigurisë, siç përcaktohet në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, është të sigurojë çmilitarizimin e plotë të UÇK-së dhe grupeve të tjera të armatosura shqiptare të Kosovës. Në këtë drejtim, është vënë re ideja e fundit për të shndërruar një pjesë të UÇK-së në një të ashtuquajtur “Trupë Mbrojtëse” me deri në tre mijë veta, me strukturën e vet organizative dhe uniforma, si dhe me armë të lehta për disa nga anëtarët e saj. Në këtë mënyrë, luftëtarëve të UÇK-së do t’u jepej një mundësi e fshehur për të ruajtur lidhjet e tyre të brendshme organizative dhe hierarkinë komanduese.

Duke marrë parasysh se çarmatimi i formacioneve të armatosura shqiptare nuk është përfunduar dhe duke konsideruar ekzistencën e depozitave të armëve si dhe qarkullimin pothuajse të pakufizuar të armëve përmes kufijve me Shqipërinë dhe Maqedoninë, një “Trupë Mbrojtëse” e tillë, në rrethana të caktuara, mund të shndërrohet lehtësisht në një njësi ushtarake. Për më tepër, ajo mund të shërbejë si bazë për krijimin e strukturave më të gjera ushtarake përmes rimobilizimit të njësive të shpërbëra të UÇK-së.

Ne e konsiderojmë propozimin për të krijuar struktura të tilla ose të ngjashme mbi bazën e UÇK-së si në kundërshtim me dispozitat e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe si të papërshtatshëm për procesin e promovimit të stabilitetit politik në Kosovë.

Ne kundërshtojmë përpjekjet për të ruajtur unitetin organizativ të UÇK-së apo të ndonjë pjese të saj, në çfarëdo forme. Sipas marrëveshjeve përkatëse ekzistuese, UÇK-ja duhet të shpërbëhet plotësisht.”

Foto 1. Raporti i Larry Rossin, drejtor për Çështje të Eveopës Juglindore në Departamentin e Shtetit (1998-1999) dërguar delegacionit amerikan në takimin e G8 në Këln të Gjermanisë për arritjen e marrëveshjes midis KFOR-it dhe UÇK-së.

Foto 2. Letra e protestës e ambasadoriit rus Sergej Lavrov drejtuar Sekretarit të Përgjitshëm të OKB-së, Kofi Annan, ku ai shprehte kundërshtim e Federatës Ruse për Marrëveshjen mes KFO-UÇK, e cila parashihte ruajtjes e komponentës ushtarake nga UÇK.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot, deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës do të…