Sylvinho: Jemi në një moment të mirë, bukur të konkurrosh për “play-off”
Tiranë, 7 nëntor – Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho ka bërë publike listën e të grumbulluarve për duelet me Andorrën dhe Anglinë. Duele këto të vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026 dhe që do të vendosin edhe “fatet” e Kombëtares së Shqipërisë në këtë turne. Braziliani ka analizuar të përzgjedhurit për këtë sfidë, ndërsa ka analizuar edhe duelet e ardhshme të kuqezinjve.
Lista?
Sylvinho: Unë e kam thënë gjithmonë, se po bëhen 3 vite që jemi këtu dhe po vjen një moment shumë i bukur, që po mbyllet një vit e më pëlqen që të vij në grumbullimin e fundit në kushte për të konkurruar për një “play-off”. Është shumë e bukur, deri këtu është mirë, kemi dy ndeshje shumë të rëndësishme. E kam thënë që nuk është ende momenti që të marrim lojtarë që luajnë 100 për qind. Por nuk ka qenë kurrë momenti ynë. Kemi marrë lojtarë edhe jashtë ekipi, ne për fat të keq kemi një limit, nuk është se kemi 70-80 lojtarë, monitorojmë 40-45. Bajrami ka bërë një rrugëtim shumë të mirë me ne, por prej 3 vitesh, kush është golashënuesi më i mirë i yni? Është zoti Bajrami me 7 gola, pra duhet të shënojmë dhe shoh listën e them 7 gola. Pastaj Asani 6, Manaj 4. Përtej kësaj, Bajrami më jep besim kur del në fushë. Bajrami është një futbollist që unë kam shumë besim. As ai nuk është i lumtur që nuk po luan dhe ne kemi grumbulluar edhe herë tjera futbollistë që nuk kanë luajtur rregullisht. Është koha t’u japim besimin këtyre që kemi grumbulluar.
A është momenti që në Andorra të mos mjaftohemi vetëm me një fitore minimale?
Sylvinho: Në fakt do të jetë një ndeshje e vështirë dhe e vlerësojmë shumë. Në sfidat e fundit ka marrë një barazim dhe është mposhtur nga Serbia. Ishte një ndeshje e vështirë dhe mund të kishte marrë barazimin. Luajnë me zemër e shpirt, japin 100% në fushën e lojës. Nuk dua të bëj llogari tani, por duhet të përqendrohemi te ndeshja dhe të bëjmë lojën tonë. Ne kemi vetëm 1 humbje dhe do të luajmë për fitore ndaj Andorrës.
Paraqitja e Medon Berishës do marrë më shumë minuta në Kombëtare?
Sylvinho: Medon Berisha është duke luajtur mirë dhe kjo na lumturon shumë. Më pëlqen shumë si lojtar dhe ne e morëm në Evropian për të fituar eksperiencë se na duhet për të ardhmen. Nuk ka marrë shumë minuta, pasi ka disa limite me zëvendësimet. Vjen në këtë grumbullim me ajër tjetër.
Nazmi Gripshi ka mundësi për rikthimin?
Sylvinho: Më ka pëlqyer, është inteligjent dhe luan shumë mirë. Kampionati ka mbaruar dhe ka 15 ditë që është me pushime dhe ne kemi nevojë për futbollistë që janë duke u stërvitur. Nuk flas dot për të ardhmen, për momentin duhet të fokusohemi te duelet me Andorrën dhe Anglinë.
Rikthimi i Ardian Ismajli dhe Indrit Tuci?
Sylvinho: Jam shumë i lumtur për rikthimin e Ismajlit. Ka kaluar një dëmtim dhe po merr minuta. Është një futbollist që ne e kemi prej vitesh dhe që na jep besim. Tuci ka humbur pak kohë për shkak të transferimit të tij diku tjetër. Transferohet në një futbollist që luan mirë në zonë. Në momentin që hyn në fushë të jep mundësinë të shënon. Është një lojtar inteligjent dhe që bën mjaft mirë.
Kanë ndryshuar kriteret për përzgjedhjen e lojtarëve?
Sylvinho: Kriteri ka qenë gjithmonë i tillë. Ne nuk grumbullojmë një lojtar që luan me Realin dhe një që nuk luan fare. Unë grumbulloj futbollistë se si më përgjigjen mua në fushë. Marr shembull Rey Manaj. Në shtëpinë tonë me Serbinë humbi një penalllti dhe të gjithë e konsideruan si lojtar që nuk duhet të grumbullohet, teksa në Leskovas shënoi dhe na dhuroi 3 pikë. Është një lojtar i rëndësishëm dhe mënyra se si përgjigjet secili në fushë më bën t’i grumbulloj. Kemi bërë mirë në ndeshjet e fundit dhe do të synojmë të marrim maksimumin.



