Sytë e të varfërve
CHARLES BAUDELAIRE
Ah! Ju doni ta dini përse ju urrej! Do ta keni padyshim më të vështirë për ta kuptuar se sa unë për t’jua shpjeguar, sepse kam përshtypjen se jeni shembulli më i mirë që ekziston i kokëfortësisë femërore.
Ne kaluam së bashku një ditë të gjatë, por që mua m’u duk e shkurtër. I premtuam njëri-tjetrit që të gjitha mendimet tona do të ishin të përbashkëta, dhe se të dy qeniet tona që sot e tutje do të shkriheshin në një të vetme. Kjo ëndërr nuk ka asgjë të veçantë përveç faktit se të gjithë njerëzit e kanë parë me sy hapur dhe asnjeri nuk e ka realizuar.
Në darkë ju ishit pak e lodhur dhe donit të uleshim përpara një kafeneje që ndodhej në qoshen e një bulevardi të ri që ishte ende plot mbeturina ndërtimi, por shpaloste tashmë me krenari bukurinë e tij të papërfunduar. Kafeneja shkëlqente. Gazi, duke përdorur gjithë energjinë e një përurimi, ndriçonte me të gjitha forcat muret me bardhësi verbuese, sipërfaqet e ndritshme të pasqyrave, kornizat dhe harqet e praruara të tavaneve, drerët e vegjël me faqe të fryra që tërhiqeshin zvarrë nga qentë e gjuetisë, gratë e qeshura me një fajkua mbi pëllëmbën e dorës, nimfat dhe hyjneshat që mbanin mbi kokë fruta, ëmbëlsira dhe mish gjuetie, Hebenë[1] dhe Ganimedin[2] që kishin në krahët e tyre të tendosur amfora të vogla me bavarez[3] ose gota dyngjyrëshe në formë obelisku për akulloret shumëparfumëshe. Gjithë historia dhe gjithë mitologjia ishin vënë në shërbim të makutërisë.
Në rrugën që ndodhej përballë nesh rrinte si hu gardhi, me një fytyrë të lodhur dhe me një mjekër të zbardhur, një burrë rreth të dyzetave, i cili me njërën dorë mbante një vogëlush, kurse në krahun tjetër një qenie shëndetligë që s’mund të ecte. Ai luante rolin e shërbëtorit dhe i kishte nxjerrë fëmijët e tij për të bërë një shëtitje në ajër të pastër. Të tre ishin të veshur me rrecka. Të tre ishin shumë seriozë, dhe ia kishin ngulur të gjashtë sytë e tyre kafenesë së re me të njëjtin admirim, që shprehej në mënyra të ndryshme në varësi të moshës së secilit.
Sytë e babait thoshin:
– Sa e bukur! Sa e bukur! Duket sikur gjithë ari i botës së shkretë ka ardhur këtu mbi këto mure.
Sytë e djaloshit thoshin:
– Sa e bukur! Sa e bukur! Po këtu futen vetëm njerëzit që s’janë si ne.
Kurse sytë e më të voglit ishin aq të magjepsur saqë nuk shprehnin gjë tjetër veçse një gëzim të çmendur dhe të pakufishëm.
Autorët e këngëve thonë se kënaqësia e bën shpirtin të mirë dhe e zbut zemrën[4]. Për sa i përket vetes sime, autorët kishin të drejtë këtë herë. Unë jo vetëm që isha i mallëngjyer nga kjo familje, por edhe ndihesha paksa i turpëruar nga gotat dhe kanat tona që ishin më të mëdha se etja që kishim. E drejtova vështrimin te sytë e juaj, e dashura ime, për të lexuar atje mendimet e mia, te këta sy kaq të bukur dhe çuditërisht të butë, te këta sy të gjelbër dhe tekanjozë, të frymëzuar nga Hëna, kur papritmas ju më thatë:
– Nuk i duroj dot ata tipat atje që i kanë hapur sytë sa një filxhan. A mund t’i luteni pronarit të kafenesë t’i largojë prej andej? Kaq e vështirë është të merremi vesh engjëlli im, kaq të pakomunikueshme janë mendimet edhe midis njerëzve që dashurohen!
Përktheu nga frëngjishtja: Roland Çipa.
Marrë nga numri 24 i revistës “Akademia”.
[1] Hebe, hyjneshë e mitologjisë greke. Bija e Zeusit dhe e Herës dhe gruaja e Herkulit (Herakles). Ajo ua shërbente nektarin hyjnive të Olimpit, i cili së bashku me ambrosinë i bënte ata të pavdekshëm.
[2] Ganumedes, hero i mitologjisë greke. Biri i Trosit, mbretit të Trojës. Ai ndihmonte Hebenë gjatë kohës që ajo shërbente nektarin.
[3] Pije e krijuar nga përzierja e çajit me shurup prej një lloj fieri në vend të sheqerit. Kjo pije u bë e njohur në Evropë nga princat e Bavarisë prej nga rrjedh dhe emri i saj.
[4] Autori e ka fjalën për shkrimtarin francez Pol dë Kok (Paul de Kock) (1793-1871) që shkruante pjesë popullore dhe tekste këngësh.



