
Tah refuzon Realin e Barcelonën, afër marrëveshjes me Bayernin
Mbrojtësi i Kombëtares së Gjermanisë, Jonathan Tah ka njoftuar se do të largohet nga Bayer Leverkusen në fund të sezonit, pavarësisht përpjekjeve të klubit për ta mbajtur.
Qendërmbrojtësi 29-vjeçar ka refuzuar ofertën për rinovim dhe do të ndryshojë skuadër këtë verë. Ai i ka thënë tashmë lamtumirë tifozëve në ndeshjen kundër Borussia Dortmundit dhe do të luajë vetëm edhe një ndeshje për klubin gjerman.
Për Bayer Leverkusenin, kjo është një goditje e dyfishtë: përveç largimit të një titullari të rëndësishëm, klubi nuk do të marrë asnjë kompensim financiar pasi kontrata e Tah skadon së shpejti.
Ai ishte transferuar nga HSV për rreth 10 milionë euro dhe Bayer Leverkusen kishte shpresuar të përfitonte rreth 30 milionë nga shitja e tij.
Sipas “The Athletic”, Tah është pranë një marrëveshjeje me Bayern Munich. Ai pritet të nënshkruajë një kontratë trevjeçare me opsion për një vit shtesë, pas bisedave pozitive me trajnerin e bavarezëve, Vincent Kompany. Ky zhvillim i jep fund spekulimeve për një transferim të tij jashtë Gjermanisë.
Edhe pse më herët kishte një marrëveshje verbale me Barcelonën, si dhe kontakte me Real Madridin, Tah vendosi të qëndrojë në Bundesligë. Vendimi i tij për të mos lëvizur jashtë vendit u konkretizua pas bisedës me Kompany, duke e afruar më shumë me Bayern Munich.
Burime pranë Barcelonës kanë bërë të ditur se nuk kanë ndonjë pakënaqësi për këtë vendim, pasi janë të kënaqur me mbrojtësit që kanë aktualisht në dispozicion.