Tahir Lubishtani atdhetar që nuk u nënshtrua asnjëherë

08 prill 2021 | 16:14

-Në 40-vjetorin e demonstratave të vitit 1981

Shkruan: Ismet Rashiti

Nuk është aspak e lehtë të shkruash për një veprimtar si Tahir Lubishtani. Tahiri bënë pjesë në mesin e atyre veprimtarëve që tërë jetën punojnë, e nuk flasin fare për punën e tyre. Nuk rrahin gjoks, as nuk duken në skenë për çështje personale. Pastaj shumë  nga bëmat e tyre ua dedikojnë të tjerëve që të mbeten sa më modest në jetë si kulturë dhe si përkushtim ndaj idealeve më të larta kombëtare. I tillë është Tahir Lubishtani. Ajo që mund të thuhet me siguri të plotë, është fakti se Tahir Lubishtani gjithnjë  ka qenë dhe ka mbetur në shërbim të kauzës kombëtare si veprimtar i përkushtuar, si bashkëveprimtar besnik dhe si njeri i afërt me të gjithë. Të tillë njerëz që punojnë pa zë, pa of dhe pa rrahaxhokse janë të rrallë dhe tepër të veçantë. Ndaj sado që një penë është e sprovuar në shkrime dhe publicistikë, e ka vështirë, tepër vështirë të pasqyroi në tërësi punën dhe virtytet e një personaliteti të tillë që i ka dhënë aq shumë kombit, pa marrë kurrë asgjë për vete!

Atdhetari Tahir Lubishtani ka lindur në Sllatinë të Poshtme në një familje të njohur për trimëri dhe atdhetarizëm. Gjyshi i tij, Tahir Lubishtani, emrin e të cilit e trashëgon nipi i tij, ka qenë pjesëmarrës në luftën e Kikës kundër bandave çetnike të cilët ja kishin mësyer pushtimit të tokave shqiptare. Njëherit gjyshi i Tahir Lubishtanit ka qenë emër i njohur në Anamoravë si pajtimtar dhe si njeri i fjalës dhe i traditës shqiptare. Edhe babai, Ramiz Lubishtani dhe nëna Ajshe kanë qenë shembulli më i mirë për rininë sllatinase se si duhet mbështetur dhe ndihmuar çështjen kombëtare.

Atdhetari i heshtur, por i përkushtuar deri në fund për lirinë dhe çlirimin e tokave shqiptare nga okupatori serb ka qenë i organizuar në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare qysh para vitit 1981. Pranvera e Madhe e vitit historik 1981, e kishte gjetur të përgatitur politikisht dhe të organizuar në treshe bashkë me atdhetarët Fahurush Mjaku dhe Hysen Demelezi të cilët kudo punonin me vendosmëri dhe përkushtim në përhapjen e frymës liridashëse.

Në ngjarjet e Pranverës së Madhe 1981, Tahir Lubishtani  ishte tejet aktiv si propagandues dhe si pjesëmarrës në demonstratat e mëdha të 3 prillit 1981në Ferizaj.

Për shkak angazhimit kombëtar, familja e Tahir Lubishtanit ishte në shënjestër të UDB-së famëkeqe, e cila i përgjonte dhe ndiqte ngado që shkonin.

Më 27 shkurt të vitit 1982, Tahir Lubishtani arrestohet dhe dënohet me një vit burg në Gjilan. Gjatë kësaj kohe Tahir Lubishtani përjeton torturat më të rënda nga inspektorët e sigurimit shtetëror : « Uroj që kurrë më askush të mos përjetoi vuajtje as tortura të tilla të cilat nuk përshkruhen assesi në letër. Nga  3 prilli i vitit 1981, kur burgoset Fadili (vëllau), e tërë familja  ka qenë në shënjestër të okupatorit serb. Edhe vëllezërit më të mëdhenjë, Mustafë e Mehmet Lubishtani kanë qenë pjesëmarrës në demonstratat e organizuara nga mërgata shqiptare, njëherit Mehmet  dhe Fadi Lubishtani kanë qenë anëtarë të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës, ndërkaq vëllau më i vogël, Rashit Lubishtani ka qenë i dënuar si pjesëtar i Grupit të Ferizajt gjatë demonstratave të vitit 1989. Me një fjalë e gjithë kjo familje ka qenë në shënjestër, e përndjekur dhe e burgosur për shkak angazhimit të madh kombëtarë: “ Gjithnjë jemi konsuderu si njerëz të papërshtatshëm. Personalisht m’a kanë shkatrruar jetën time rinore”, thotë Tahir Lubishtani, tani pas dyzet viteve veprimtari për çlirim kombëtar nga Serbia.

Tahir Libishtani, ndonëse kishte mbaruar Fakultetin Xehtaro-Metalorgjik në Mitrivicë, nuk kishte mundësi punësimi  sepse nga pushteti i atëhershëm dhe okupatori serb, konsiderohej “familje armiqësore”. Me një fjalë kjo familje me vite të tëra ishte në shënjestër të pushtetit dhe mercenarëve shqiptarë  që i shërbenin me zell dhe angazhim të shtuar, në shumë raste duke shkelur edhe ligjet e asaj kohe të rëndë.

Në rrethana të vështira ekonomike dhe me shëndet jo të mirë, Tahir Lubishtani asnjëherë nuk u nënshtrua dhe as nuk u ndal së vepruari. Kudo që e kërkonte nevoja, pavarësisht të gjitha vështirësive dhe rreziqeve, Tahiri ishte i pranishëm. Themelimin e UÇK-së, e kishte pritur me gëzim të madh, ndaj, jo vetëm që ishte bashkuar vet në radhët e saj, por edhe shtëpia e tij ishte shndërruar në një bazë liridashëse, ashtu siç kishte qenë gjithmonë e veçmas nga viti historik 1981.

Dyzet vjetori i demonstratave të vitit 1981, si shkëndijat e para për Republikën e Kosovës, Tahir Lubishtanin e gjejnë në detyrën e koordinatorit për kryetarët e këshillave të fshatrave në komunën e Vitisë.

Edhe tani pas kaq shumë vitesh, Tahir Lubishtani nga modestia ngurron të flas në vetën e parë, por me gjithë atë ka shprehur disa momente nëpër të cilat ka kaluar si veprimtar dhe si familje atdhetarësh.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
U.d. i  kryeshefit ekzekutiv në ndërmarrjen “Trepça”, Sh.A., Enes Muzaqi,…