Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vlerëson se zgjedhjet lokale kanë dëshmuar forcën e saj si subjekt i konsoliduar politik, megjithëse nuk ka një fitues të vetëm në nivel vendi. Ish-deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, tha se gara ka treguar një performancë solide të partisë, veçanërisht në rajonin e Dukagjinit.
“Këto zgjedhje lokale në fakt treguan se askush nuk është fitues i plotë i komunave të Kosovës, mirëpo Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës e vërtetuan si një subjekt politik shumë stabil, të konsoliduar politikisht dhe mirë të ndërtuar,” deklaroi Tahiri në dokumentarin Expose të Gazeta Blic.
Ai përmendi gjithashtu rezultatin në Prishtinë, ku kandidati i AAK-së, Bekë Berisha, shënoi, siç tha ai, një paraqitje të mirë. Tahiri veçoi edhe garën në Pejë, ku kandidati Ali Berisha, sipas tij, arriti “një rezultat të jashtëzakonshëm” duke konkurruar “në kushte jo të barabarta kundër një kryetari në detyrë dhe një qeverie”.
Tahiri theksoi se AAK hyn në zgjedhjet e ardhshme me ambicie më të larta dhe me një listë të re kandidatësh. “Në zgjedhjet e ardhshme hyn me një fuqi politike të konsiderueshme për të marrë rezultatin më të mirë. Kësaj radhe vetë, pa koalicione, me një listë që do të përbëhet nga kolegë të gjeneratës së mesme… por edhe nga politikanë të dëshmuar që janë në Kuvend,” u shpreh ai.
Sipas Tahirit, këto zgjedhje forcuan bindjen se Aleanca mbetet një aktor politik i qëndrueshëm dhe me bazë të konsoliduar në skenën politike të vendit.