
Tahiri: Anëtarësimi në Këshillin e Evropës të mos ndërlidhet me procese tjera politike
Në takimin e mbajtur sot me ambasadorë të akredituar në Republikën e Kosovës, vendet e të cilëve janë anëtarë të Këshillit të Evropës, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka theksuar se Kosova, kushtetuta e saj, dhe ligjet më të rëndësishme i kanë përfillë dhe mishëruar vlerat që i përfaqëson Këshilli i Evropës në legjislacionin përkatës.
Po ashtu, ai ka theksuar nevojën që qytetarët e Kosovës të kanë qasje në instrumentet që ky institucion i ka, në veçanti në Gjykatën për të drejtat e njeriut.
“Nga ambasadorët kërkova që ky proces mos të ndërlidhet me procese tjera politike, si ajo e dialogut dhe çështjeve tjera, por si një e drejtë qytetare dhe e drejtë e shtetit të Kosovës për të qenë pjesë e këtij institucioni. Kosova përgjatë këtyre viteve ka dëshmuar që të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit e ka në agjendën e vet primare dhe anëtarësimi i Kosovës është imperativ i kohës. Në të njëjtën kohë, si vend e kemi pasur një qasje shumë konstruktive dhe mbështetëse ndaj njërit prej anëtarëve, në këtë rast Ukrainës, duke ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të qenë në vijë me botën perëndimore”, ka deklaruar Tahiri.