Tahiri: Antikushtetutshmëria po bëhet standard në qeverinë Kurti
Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se antikushtetutshmëria po bëhet standard në Kosovë.
Tahiri në një konferencë për media të mbajtur të dielën ka folur rreth rrëzimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
“Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese rreth Ligjit për Këshillin Prokurorial e vërteton se antikushtetutshmëria në këtë qeveri është duke u bërë normë e standard qeverisës, e në të njëjtën kohë vlerësimi dhe komentimi që vjen prej anëtarëve të qeverisë tregon mospërfilljen dhe qasjen autoritare që qeveria e ka. Është e pakuptimtë dhe njëkohësisht e patolerueshme që një qeveri për çdo vendim të Kushtetueses të ketë qëndrime politike dhe njëkohësisht të shtynë ligje që i ka kontestuar Komisioni i Venecias, dhe instanca jopolitike, joqeveritare të nivelit vendor e ndërkombëtar, dhe ato prapë të mundohen e shtyhen në miratim”.
“Nuk ka asgjë tjetër në synim përveç se përmes ligjeve që bëhen të kapen institucionet e pavarura, institucione që në esencë e kanë mbikëqyrjen dhe kontrollin e sistemit institucional e qeverisës në vend. Kjo logjikë duhet të ndahet, e një herë e përgjithmonë të kthehet te e drejta kushtetueses e ndarjes së pushteteve”, ka thënë Tahiri.
Shefi i deputetëve të AAK-së ka kërkuar nga qeveria Kurti që të ngrejë kujdesin në maksimum e të mos rrezikohen të arriturat demokratike.