Tahiri: Gjykata Komerciale dhe Vetëvendosje po legalizojnë plaçkitjen, do ta mbrojmë interesin publik pro bono

01 gusht 2025 | 18:59

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka reaguar ashpër ndaj një vendimi të Gjykatës Komerciale, të cilin e cilëson si të paligjshëm dhe të rrezikshëm për interesin publik.

Sipas Tahirit, Gjykata Komerciale – e themeluar nga Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu dhe Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes – ka vendosur në favor të një kompanie private, duke detyruar Ndërmarrjen Publike Banesore që të përmbushë një kontratë e cila kishte skaduar me kohë, dhe asnjëherë nuk kishte hyrë në zbatim.

“Gjykata Komerciale ka vendosur që të dëmtojë interesin publik duke pasuruar një kompani private në dëm të taksapaguesve të Republikës së Kosovës.”

Vendimi lidhet me një kontratë të lidhur gjatë mandatit të dytë të Vetëvendosjes në Prishtinë (2017–2021), që PDK e kishte kundërshtuar vazhdimisht, madje duke kërkuar anulimin e saj në rrugë ligjore.

“Edhe pse kërkesëpadia e këtij konsorciumi privat kishte si kërkesë të parë përmbushjen e kontratës dhe si kërkesë të dytë kompensimin e dëmit material dhe fitimit të humbur në vlerë prej mbi 36 milionë euro, Gjykata Komerciale e Kosovës as nuk e refuzoi kërkesën për kompensim të dëmit, por e detyroi Ndërmarrjen Publike Banesore të përmbushte një kontratë, zbatimi i së cilës asnjëherë nuk kishte filluar. Si rrjedhojë, vendimi i gjykatës për të përcaktuar një detyrim për përmbushjen e saj ishte i pabazë dhe i kundërligjshëm”, ka thënë Tahiri.

Edhe pse kontrata kishte skaduar dhe nuk ishte zbatuar kurrë, Gjykata jo vetëm që nuk e refuzoi kërkesën për dëmshpërblim, por e detyroi ndërmarrjen publike ta përmbushë kontratën – një vendim i pabazë dhe i kundërligjshëm.

Në kundërpërgjigje, Tahiri ka organizuar një ekip prej juristëve të pavarur, nën udhëheqjen e avokatit Faton Fetahu, për ta ndjekur çështjen në Gjykatën e Apelit.

“Puna e këtij ekipi do të jetë krejtësisht pro bono – vetëm për të mbrojtur interesin publik dhe për të ndalur këtë plaçkitje ndaj qytetarëve të Kosovës.”

Tahiri tha se kjo është një tjetër dëshmi e mënyrës se si qeveria në ikje po tenton të zbrazë arkën publike në ditët e fundit të mandatit të saj.

“Betejën për drejtësi, për mbrojtjen e interesit publik dhe të qytetarëve të Prishtinës, do ta ndjekim në çdo hap dhe në çdo instancë gjyqësore.”

PDK ka dorëzuar sot zyrtarisht ankesën në shkallën e dytë, duke paralajmëruar ndjekje të vazhdueshme të këtij rasti si çështje me përmasa serioze për drejtësinë, buxhetin dhe qytetarët e vendit.

Link: https://www.facebook.com/share/p/1ZBhxUTmoT/?mibextid=wwXIfr

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Spanja dhe Gjermania kanë dërguar ndihma në Rripin e Gazës,…