Tahiri i AAK-së kritikon Kurtin: Po e zhvendos vëmendjen nga problemet reale të qytetarëve
Ish-shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe partinë në pushtet se po e mbajnë debatin publik të fokusuar në tema politike, me qëllim që të shmanget diskutimi për problemet kryesore me të cilat përballen qytetarët.
Tahiri ka thënë se vëmendja po largohet nga çështje si furnizimi me energji elektrike, gjendja në sistemin shëndetësor, rritja e çmimeve të produkteve ushqimore, ekonomia dhe arsimi.
Sipas tij, në shumë qytete të Kosovës po vazhdojnë problemet me energjinë elektrike, ndërsa në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka mungesa të materialeve dhe barnave. Ai vlerësoi se sistemi shëndetësor po mbahet në këmbë falë përkushtimit të mjekëve dhe infermierëve.
“Albin Kurti me të vetët kanë një qëllim të madh politik, ta mbajnë diskursin publik e politik të bllokuar në temat ku është tash e disa ditë. Ata nuk duan që të flasim për faktin se në shumë qytete të Kosovës sot nuk ka rrymë, se në QKUK mungojnë penjët, kushtet dhe ilaçet, ndërsa i vetmi burim që e mban sistemin në këmbë janë mjekët e motrat e përkushtuar, human dhe profesional. Nuk duan që të flasim për çmimet e ushqimeve që kanë shkuar në hava, as për ekonominë që është gati para falimentimit, e as për arsimin që është lënë anash. Pra, synimi i tyre strategjik nuk është vetëm të na ndajnë në ‘ne’ dhe ‘ata’, por edhe të na largojnë vëmendjen nga temat që i japin kuptim jetës së qytetarëve dhe të mos flasim për hallet e përditshme që po ua zënë frymën secilit prej nesh. Kjo betejë politike nuk është e pamundur të fitohet, por duhet zgjuarsi dhe fokus. E drejta është në anën tonë”, ka Tahiri në “Facebook”.



