Tahiri: Jam i bindur se do të fitoj – forca ime vjen nga qytetarët e Mitrovicës
Kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri, është shprehur i bindur se do të dalë fitues në balotazhin e 9 nëntorit.
Sipas tij, mbështetja dhe forca i vijnë nga qytetarët e Mitrovicës, veçanërisht nga familjet e ndershme të këtij qyteti, dhe për këtë arsye ai beson se do të triumfojë falë entuziazmit të tyre.
“Garën e bëj me njerëz të mirë të Mitrovicës. Që nga dita e parë kam ecur rrugëve e rrugicave të qytetit, në secilën shtëpi, në secilin biznes, me njerëz të mirë dhe të ndershëm. Jam i bindur se do të fitoj”, u shpreh Tahiri në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova.
Ndër të tjera, Tahiri tha se ndien presion qeveritar për të ndikuar në vullnetin e qytetarëve.
Sipas tij, nuk mund ta duan Mitrovicën ata njerëz që nuk e kanë vizituar as para gjashtë muajsh, as para një viti.
“E ndiej presionin edhe të nivelit qeveritar. Nuk mundet me dashtë e as me e njoftë Mitrovicën e as mitrovicasit më mirë Donika Gërvalla, e Nezir Krasniqi, Dejona Mihali apo ministra e profile të tjera që vijnë e bëjnë sfilata rrugicave e shtëpive të qytetarëve. Nëse e duan vërtetë pse nuk erdhën para 6 muajsh, apo para 1 viti? Ka presion të paparë me ndiku tek vullneti i qytetarëve të Mitrovicës. Unë jam me ata. Mua më kish ardh marre me ardh e me i çelë dyert nëpër shtëpi e nëpër biznese kryeministri”, shtoi ai, njofton Klankosova.tv.



