Tahiri: Kur refuzon marrëveshje, problemi s’është Presidenti, po dëshira për të kontrolluar çdo institucion të shtetit
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, dhe deputeti Përparim Gruda mbajtën sot një konferencë për media, ku folën për zhvillimet e fundit politike.
Tahiri theksoi se Kosova po shkon sërish drejt zgjedhjeve jo për shkak të mungesës së alternativave për zgjidhje, por për shkak të refuzimit të tyre nga shumica parlamentare.
“Nëse e di që nuk i ke votat, atëherë në politikë kërkon marrëveshje dhe konsensus. Por kur refuzon marrëveshjen dhe insiston vetëm në kandidatë partiakë, mesazhi është i qartë: problemi nuk është zgjedhja e Presidentit, por dëshira për të kontrolluar çdo institucion të shtetit. Dëshira për t’i nënshtruar të gjithë akterët e tjerë politikë ndaj një mentaliteti autoritar, për ta kapur çdo institucion”, tha Tahiri.
Ai shtoi se të gjithë presidentët e deritanishëm të Kosovës janë zgjedhur si rezultat i marrëveshjeve ndërmjet partive politike dhe se kjo është hera e parë që Kuvendi dështon ta zgjedhë Presidentin.
Tahiri theksoi se PDK ka vepruar me përgjegjësi gjatë gjithë këtij procesi. Ai tha se partia ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe ka marrë pjesë në takimet me kryeministrin Albin Kurti për të gjetur një zgjidhje.
Ai shtoi se “PDK ka mbështetur idenë e një kandidati konsensual nga familja Jashari, ka qenë e hapur për një marrëveshje gjithëpërfshirëse politike dhe në fund ka ofruar edhe një marrëveshje të kufizuar vetëm për zgjedhjen e Presidentit”.
“Pra, alternativa kishte. Zgjidhje kishte. Mungoi vetëm vullneti politik i shumicës parlamentare. Ose, thënë më saktë: në Lëvizjen Vetëvendosje mbizotëroi etja dhe dëshira për pushtet dhe kontroll absolut”, u shpreh Tahiri.
Ai theksoi se për PDK-në ishte e papranueshme “logjika e kontrollit absolut të institucioneve dhe se një qasje e tillë do t’i sillte dëme serioze vendit”.
“Pasi kanë kuptuar se nuk mund të prodhojnë rezultate konkrete për vendin, shumica parlamentare ka zgjedhur të abstenojë nga përgjegjësia e qeverisjes dhe të prodhojë kriza të njëpasnjëshme politike.
Në fund, Tahiri deklaroi se Partia Demokratike e Kosovës është e gatshme për zgjedhje sa herë që ato të mbahen.
“PDK do t’u drejtohet qytetarëve me një program të qartë për stabilitet institucional, zhvillim ekonomik dhe qeverisje serioze. Kosova nuk ka nevojë për kriza të reja politike, Kosova ka nevojë për përgjegjësi”, përfundoi Tahiri.



