Tahiri: Kushtëzimi i deputetëve nga kryeministri, sulm direkt ndaj demokracisë

06 tetor 2023 | 14:31

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka reaguar pas refuzimit të kryeministrit Albin Kurti për t’iu përgjigjur pyetjeve parlamentare në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.

Tahiri në një konferencë për media, ka thënë se kjo sjellje e kryeministrit ishte sulm direkt ndaj demokracisë parlamentare në Kosovë, pasi sipas tij mandati i deputetit është i garantuar dhe askush nuk mund t’ua përcaktojë rregullat në vendin e tyre të punës.

“Pyetja parlamentare është një nga instrumentet e deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i cili e shfrytëzon për llogaridhënie nga Qeveria, nga kryeministri, ministrat, zëvendësministrat e kështu me radhë. Sjellja sot e kryeministrit të Republikës së Kosovës ishte një sulm direkt ndaj demokracisë parlamentare në vendin tonë, Nuk ka ndodhur asnjëherë, është e paprecedentë. Nuk e keni asnjë rast të vetëm kur kryeministri del dhe ju thotë deputetëve që unë kam vendosur mos të ju përgjigjem deri në momentin kur ju do ta bëni një veprim tjetër”,  ka thënë ai.

Më tutje, Tahiri e ka ftuar kryetarin e Kuvendit që të marrë masa ndaj këtyre veprimeve dhe njerëzve të papërgjegjshëm nga kryeministri e tutje.

“Në anën tjetër ju e shihni se dështimet në këtë vend janë të mëdha, janë kolosale. Ju e shihni skamjen, mjerimin dhe krizën ekonomike që e ka kapluar vendin. Problemi më i madh është se e kemi një kryeministër të padijshëm dhe papërgjegjshëm”, ka thënë Tahiri.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Konferenca e përvitshme e zhvilluesve, krijuesve dhe dizenjuesve të Samsung…