
Tahiri: Marrëdhëniet e Kosovës me Unionin Evropian dhe ShBA-në kurrë nuk kanë qenë më keq
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është duke punuar që të enjten e ardhshme, si pikë të parë të rendit të ditës, të kemi seancën e jashtëzakonshme për trajtimin e Ligjit për Sigurimet Shëndetësore. Kosova ka shumë probleme që kërkojnë të zgjidhen nga Kuvendi dhe Qeveria, por për vlerësimin tonë, një ndër pikat më problematike dhe që kërkojnë trajtim urgjent është sigurimi shëndetësor për qytetarët e Kosovës. Andaj, kjo kauzë, shpresoj të gjej mbështetjen e të gjitha subjekteve politike, në mënyrë që këtë ligj ta miratojmë deri në qershor të këtij viti”, kështu ka thënë sot shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
Në interesimin e medieve për qëndrimin e AAK-së në marrëdhëniet e Kosovës me faktorin ndërkombëtar dhe çështjen e dinarit, Tahiri ka theksuar se marrëdhëniet e Kosovës me Unionin Evropian dhe ShBA-në, kurrë nuk kanë qenë më keq.
“Botërisht dihet që Kosova është nën sanksione, përderisa ShBA-ja e trajton Kosovën, jo si partnere e mëhershme, por si palë e diskutimeve”, ka thënë ai.
Sa i përket dinarit, Tahiri ka theksuar se valuta në Kosovë është euroja, ndërsa dinari nuk ka vend të qarkullojë në asnjë sistem të pagesave dhe në asnjë mënyrë të qarkullimit në Republikën e Kosovës.
“Në këtë temë, jemi kundër dhe dinari nuk guxon as në pjesën veriore dhe në asnjë pjesë të vendit të jetë valutë”.
“Si e ka menaxhuar këtë çështje Qeveria? Si çdo krizë tjetër, si çdo temë tjetër. Euroja në Kosovë është valutë nga legalizimi i saj. Menaxhimi dhe trajtimi i kësaj teme, e ka sjellë edhe një problem që po e dobëson Kosovën në marrëdhëniet bilaterale dhe se në fund, Kurti do të lëshojë pe nga qëndrimet e tij”, është shprehur ai.
Tahiri ka theksuar se Bashkimi Evropian duhet t’i largojë sanksionet nga Republika e Kosovës. “Këtë e kemi kërkuar edhe në takimet me ambasadorin e BE-së dhe takimet me vendet tjera të BE-së. Këto sanksione nuk janë ndaj Kurtit, por sanksione ndaj qytetarëve dhe projekteve zhvillimore”.
“Në këtë aspekt, duket të vijë një ofertë sa i përket ecjes së Kosovës përpara, sepse ne jemi në bllokadë. Është vërtetuar që Serbia ka qenë agresore në sulmin e Banjskës dhe që momentalisht nuk ka ndonjë ofertë nga BE-ja për Kosovën. Kjo duhet të ndodhë sa më shpejt, për shkak se në muajin prill shpërndahet Parlamenti Evropian, që pasohet me zgjedhjet e 9 qershorit. Pastaj merr një kohë të konsolidimit të institucioneve të BE-së. Nuk pres as dhjetorin e formalizimit të komisionarëve të BE-së. Kështu, që ky vit mund të jetë një vit i humbur për Kosovën”.
“Kosova duhet ta ketë një ofertë për anëtarësimin në NATO. Serbia është anëtare e partneritetit për paqe. Me vlerësimet e NATO-së dhe vendeve tjera është vërtetuar përfshirja e Vuçiqit në sulmin e Bajnskës. Pra, siguria e Kosovës rregullohet me një rrugëtim të shpejtë, sikurse rasti i Finlandës dhe Suedisë në anëtarësimin në NATO. Shpresoj që të ketë një vendim pozitiv në Këshill të Evropës dhe anëtarësimi i Kosovës në këtë institucion është një hap i parë i një njohje politike të një organizate, që një numër i madh i shteteve janë jo njohëse”, është shprehur ai.
Zyrtari i lartë i AAK-së ka thënë se për të pasur një paqe të qëndrueshme në Kosovë duhen tri veprime: 1. Anëtarësimi në NATO; 2. Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës; dhe 3. Kosova të jetë vend kandidat për BE.
“Megjithatë, kryeministri është i zënë me tema tjera. Ai kënaqet me inskenime sikurse rasti i inskenimit të “sulmit” në Maqedoninë e Veriut, për shkak se këto po sjellin vota. Ndërkaq, udhëheqësit përgjegjës marrin veprime të caktuara si lider. Kosova, që tri vite ka mbetur në vendnumërim: asnjë njohje, asnjë rritje e pagave, asnjë ligj që e përmirëson mirëqenien e qytetarit. Pozitive për Kurtin është rritja e pagës së tij dhe se është ka ndihet si monark, në një sistem demokratik, parlamentar. Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës edhe sot dështoi. Janë mbledhur 62 pika të rendit të ditës, Kuvendi i Kosovës vazhdon punën me avazin e vet me papërgjegjësi totale, përderisa agjenda legjislative vit për vit ka ardhur duke u zvogëluar”, ka thënë Tahiri.