
Tahiri në Bruksel: Theksova nevojën e përmbylljes së procesit të liberalizimit të vizave
Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Tahiri ka vazhduar edhe sot takimet e nivelit të lartë në Bruksel.
Ai ka bërë me dije se është takuar me raportuesen për Kosovën në PE, Viola von Cramon-Taubadel, ambasadorin Norvegjez në Belgjikë, Per Strand Sjaastad, drejtorin e ri të Bankës Botërore për Kosovë, Massimiliano Paolucci si dhe shefin e Njësisë për Kosovën në Komisionin Evropian, David Cullen.
“Në këto katër takime falënderova BE-në për ndihmën e dhënë përgjatë viteve dhe theksova tri çështje kryesore: 1. Nevojën e përmbylljes sa më të shpejtë të procesit të liberalizimit të vizave; 2. Arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila duhet të rezultojë me njohje reciproke dhe 3. Ndihma konkrete në menaxhimin e situatës së krijuar me Covid-19, për Pakon e rimëkëmbjes ekonomike dhe reformat në administratën shtetërore”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e vet në “Facebook”.
(Q.R / Epoka e re)