Tahiri: Në këtë periudhë nuk mund të arrihet konsensusi për dialogun

03 tetor 2018 | 13:02

Politologu Ramush Tahiri ka thënë se, pavarësisht prej disa pikave të përbashkëta në mes të spektrit politik në këtë periudhë, është e pamundur arritja e konsensusit dhe krijimi i një platforme të përbashkët për dialogun me Serbinë.

Megjithatë, ai ka thënë se Kuvendi nuk mund t’ia marrë të drejtën kushtetuese presidentit Thaçi për të dialoguar dhe për të arritur marrëveshje, por vetëm mund t’ia rrëzojë marrëveshjen e arritur.

Sipas Tahirit, kundërshtimet dhe kritikat që po bëhen në këtë drejtim janë të kota.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka vlerësuar se dialogu në nivel të presidentëve mund të vazhdojë meqë për këtë nuk ka nevojë për autorizim të Kuvendit.

Tahiri ka sqaruar se autorizimi i Kuvendit vlen për Qeverinë dhe për dialogun teknik.

Ndërsa duke folur për funksionimin e koalicionit qeverisës, ai ka thënë se Qeveria aktuale mezi i siguron votat në Kuvend dhe nuk ka një platformë të përbashkët ndërmjet partnerëve të koalicionit duhet të rrëzohet ose të japë dorëheqje.

Sipas Tahirit, mospajtime në mes të kryeministrit dhe presidentit për çështje madhore mund ta çojnë vendin në zgjedhje të reja në nëntor.

“Epoka e re”: Z. Tahiri, si i komentoni zhvillimet e fundit në skenën politike, përkatësisht ofrimin e dorëheqjes së ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri? Mund të jetë ky indikacion për prishjen e koalicionit qeverisës?
Tahiri: Konsideroj se kjo Qeveri, e cila mezi i siguron votat në Kuvend dhe nuk ka një platformë të përbashkët ndërmjet partnerëve të koalicionit, duhet të rrëzohet ose të japë dorëheqje, për arsye se të gjitha proceset kanë ngecur dhe në kohët e fundit kemi mospajtime në mes të kryeministrit dhe presidentit në çështje madhore. Edhe në mes të partnerëve të koalicionit kemi mospajtime dhe në këto rrethana nuk shoh arsye për të vazhduar mandati i Qeverisë Haradinaj. Madje mendoj se është veç çështje ditësh që Qeveria të hyjë në votëbesim dhe të rrëzohet. Edhe po të mos rrëzohet kjo Qeveri nuk po mund të kryejë asnjë punë dhe nuk e ka përkrahjen e popullit. Populli nuk po e ndien që është një Qeveri e cila mund të rrijë në këmbë të veta dhe që e kah përkrahjen e 61 deputetëve në Kuvend.

“Epoka e re”: Sipas mendimit tuaj, koalicioni qeverisës nuk do të ketë jetëgjatësi?
Tahiri: Jo, madje mendimi im është që mund të rrëzohet këtë të enjte.

“Epoka e re”: Si është e mundur një gjë e tillë?
Tahiri: Sepse LDK-ja është duke i mbledhur nënshkrimet dhe së bashku me LV-në i kanë plotësuar kushtet për votëbesimin e Qeverisë dhe ky votëbesim mund të hyjë në Kuvend për 24 orë apo 48 orë varet se si përcaktohet Kryesia e Kuvendit në votim. PDK-ja në këtë koalicion nuk është duke i realizuar vijat e veta programore, ndonëse është partia më e madhe në koalicionin qeverisës, prandaj mund ta mbështetë shpërndarjen e Kuvendit. Nëse me 80 vota shpërndahet Kuvendi atëherë brenda 40 ditëve mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme.

“Epoka e re”: Ju mendoni se PDK-ja do të votojë pro rrëzimit të Qeverisë apo shpërndarjes së Kuvendit?
Tahiri: Mendoj se kjo Qeveri do të rrëzohet këtë javë ose javën e ardhshme. Edhe pa rrëzimin e kësaj Qeverie vendi shkon në zgjedhje me shpërndarje të Kuvendit. Kësisoj në nëntor mund të ketë zgjedhje, sepse me këtë kundërshtim në mes të kryeministrit dhe presidentit vendi nuk mund të ecë përpara, prandaj duhet të bjerë njeri ose tjetri. Presidenti nuk mund të shkarkohet pa plotësimin e tri kushteve që i parasheh ligji. Dhe, duke pasur parasysh se presidenti nuk mund të shkarkohet, atëherë më e lehtë është të bjerë Qeveria ose të shpërndahet Kuvendi dhe vendi të shkojë në zgjedhje, në mënyrë që të krijohet legjitimitet i ri. Të formohet një koalicion i ri i cili mundëson harmonizim në mes të presidentit dhe partnerëve të koalicionit për ta vazhduar dialogun me Serbinë. Dialogu ka ngecur edhe sa i përket anës teknike, nuk është krijuar Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe dhe në një farë forme Kosova ka mbetur në një bllokadë ndërkombëtare, sepse nuk po mund t’i kryejë obligimet që i ka marrë. Pozita nuk i ka votat për të ndenjur në pushtet, por as opozita nuk i ka votat për ta rrëzuar Qeverinë, prandaj ky është ai pat pozicioni i keq që nuk po i bën hair Kosovës.

“Epoka e re”: Sa është e përshtatshme për partitë politike, sidomos për këto që janë në pushtet, shkuarja në zgjedhje?
Tahiri: E përshtatshme shkuarja në zgjedhje nuk është për PSD-në dhe për LV-në. Nëse është e vërtetë që ka përçarje në mes të Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit, atëherë PDK-ja mund ta ketë fatin e LDK-së në kohën e Sejdiut dhe të Dacit. Nëse ministrat e përfolur japin dorëheqje se ka konflikt në mes të Thaçit dhe Veselit, shoh fillimin e fundit të PDK-së në skenë.

“Epoka e re”: Pavarësisht prej mospajtimeve në mes të spektrit politik, si e shihni ecurinë e procesit të dialogut me Serbinë?
Tahiri: Dialogu teknik duhet të zhvillohet meqë janë shumë tema të cilat duhet të realizohen, sepse janë në interes të qytetarëve të Kosovës dhe atyre të Serbisë, kurse dialogun në nivel të presidentëve askush nuk mund ta pengojë sepse është e drejtë kushtetuese. Thaçi dhe Vuçiqi kanë të drejtë t’i përfaqësojnë vendet e tyre brenda dhe jashtë si dhe të zhvillojnë dialog apo edhe të arrijnë marrëveshje. Është keqkuptuar një gjë, Kuvendi nuk mund t’ia marrë të drejtën presidentit Thaçi për të dialoguar dhe për të arritur marrëveshje, por vetëm mund t’ia rrëzojë marrëveshjen e arritur. Kundërshtimet dhe kritikat që po bëhen në këtë drejtim janë të kota. Dialogu në nivel të presidentëve mund të vazhdojë, sepse për këtë nuk ka nevojë për autorizim të Kuvendit. Autorizimi i Kuvendit vlen për Qeverinë dhe për dialogun teknik. Dialogu politik duhet të përfundojë me një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe pjesë e saj do të jetë çështja e kufirit. Tash a do të jetë kufi i ri, i vjetër apo do të jetë një kufi korrektim, kjo do të përcaktohet në marrëveshje sipas vullnetit të palëve.

“Epoka e re”: Pavarësisht prej kritikave dhe kundërshtimit, Thaçi po bën thirrje për arritjen e një konsensusi dhe krijimin e një platforme të përbashkët për procesin e dialogut. Në këto rrethana, sa ka gjasa të arrihet një gjë e tillë?
Tahiri: Jo, nuk besoj se mund të arrihet konsensusi dhe të krijohet një platformë e përbashkët për dialogun në këtë periudhë. U mbajtën disa tryeza politike dhe asnjëherë nuk u nxorën idetë e përbashkëta në mënyrë që të hartohet platforma. Megjithatë, janë disa pika të përbashkëta me të cilat pajtohen të gjithë, por nuk po duan ta bëjnë një gjë të tillë. Janë bërë koalicione joparimore vetëm sa për ta mbajtur pushtetin. Lista Serbe nuk pajtohet me asnjë parti, po ashtu edhe anasjelltas. Prandaj, duhet të prishet koalicioni dhe të shkohet në zgjedhje të reja. Por, në zgjedhje nuk duhet të shkohet me koalicione parazgjedhore, mirëpo duhet të matet secila parti politike veç e veç.

Shqipe HETEMI 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka takuar rektorin e Universitetit…