
Tahiri: PDK ka bërë hapin më të madh në krijimin e institucioneve të vendit
Ish shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, i ftuar në “RTK Prime”, foli për perspektivën dhe qëndrimin e subjektit të tij politik në përpjekjet për konstituimin e institucioneve të vendit, me theks të veçantë të Kuvendit të Kosovës. Ai tha se PDK ka bërë hapin më të madh sot në krijimin e institucioneve të vendit, në interes të qytetarëve të vendit e jo të partive politike.
Lidhur me zgjedhjen e deputetit të LVV-së, Dimal Basha, për kryetar të Kuvendit, Tahiri tha se PDK që në fillim kishte bërë të qartë se nuk do ta votonte asnjë kandidat të LVV-së për kryetar të Kuvendit, të cilët kanë qenë pjesë e ekzekutivit dhe të shefit të Grupit Parlamentar në legjislacionin e kaluar. “Ne kemi lexuar drejt Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese më 2014, se partia e cila ka shumicën e deputetëve, ka të drejtën e propozimit për kryetar të Kuvendit,” tha ai.
Tutje Tahiri foli për rrjedhën e seancave që janë zhvilluar deri më tani, kur Dimal Basha u zgjodh kryeparlamentar.
“Ne ishim të qartë edhe në ditën e diel kur është propozuar, ku unë kam kërkuar një pauzë prej 10 minutash që të dakordohemi me të gjithë kryetarët e grupeve parlamentare apo përfaqësues të partive pjesë të Kuvendit të Kosovës, që ta pyesim edhe një herë LVV-në nëse është e sigurt që për kryetar të Kuvendit do ta japin një figurë siç është Dimal Basha, sepse kemi konsideruar se ka figura të tjera më të denja se ai për kryetar të Kuvendit, por edhe deputetë të tjerë, në përjashtim të dy-tre vetave, janë të të njëjtit nivel të Bashës dhe nuk morëm përgjigje nga LVV për atë ditë dhe ne u kryqëzuam se nuk e mbajtën fjalën”, tha ish shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së.
Ai më tej sqaroi se edhe në seancën e sotme PDK kishte bërë të ditur se do të kërkohej një pauzë dhe konsultë para fillimit të seancës me kryetarët e grupeve parlamentare dhe me kryesuesin e seancës që të siguroheshin nëse është e sigurt kandidatura e Dimal Bashës për kryeparlamentar, por nuk u realizua ajo konsultë.
“Ne nuk jemi që bllokojmë Kuvendin, nuk jemi ata që kemi inate politike, jemi ata që kemi rezonin e qartë dhe qëllime të qarta. Vendit i duhen institucionet,” deklaroi Tahiri, derisa shtoi se është hera e parë që partia më e madhe në Kuvendin e Kosovës nuk e ka shumicën parlamentare dhe zgjedh kryetarin e Kuvendit.
Se a ka qenë aksidentale zgjedhja e Bashës për kryetar të Kuvendit, Tahiri tha se nuk mund të konsideronte një gjë të tillë, derisa nga partia e vet është propozuar dy herë radhazi, teksa mohoi të kishte pasur konsulta me subjektet tjera politike për propozimin e Bashës për kryeparlamentar.
Se a është shkelur Kushtetuta me moszgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga komuniteti serb, me ndarjen e votimit të deputetëve të komuniteteve pakicë, Tahiri shpjegoi për mënyrën e zgjedhjeve të tyre në të kaluarën, pra praktikën e votimeve në Kuvendin e Kosovës, derisa sot, sipas tij, kjo praktikë është ndryshuar me drejtimin e kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha.
Tahiri shtoi se kjo i ka leverdisë kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, sepse ai është i interesuar të ketë edhe ndonjë rast të ri për Gjykatën Kushtetuese, që të zvarrisë edhe më tej krijimin e institucioneve të vendit, sepse, sipas tij, ai nuk i ka numrat për qeverinë.
“Pse iu deshtë që të ndajë votimin te minoritetet, sepse nuk i ka numrat për qeveri dhe nuk e dëshiron pataten e nxehtë në duart e tij, sepse kriza reale është nëse mund ta krijojë Kurti qeverinë,” tha Tahiri në RTK Prime.
Ai mes tjerash përjashtoi mundësinë e formimit të koalicioneve qeverisëse me Vetëvendosjen, ngase, sipas tij, kjo nuk do t’i ndihmonte vendit.