Tahiri: Po shqyrtojmë reduktimin e ministrive, nga 21 në 17 sosh

02 tetor 2018 | 21:11

Këshilltari i kryeministrit Haradinaj dhe koordinator nacional për Reforma Shtetërore, Besnik Tahiri, ka thënë se ka disa lëvizje në PDK, por ai nuk beson se këto lëvizje do të rrezikojnë Qeverinë.

Tahiri, në “Dossier D”, ka thënë se kryetari i PDK-së Kadri Veseli është mjaft i drejtpërdrejtë dhe nuk ka dhënë shenja se Qeveria mund të rrëzohet.

“Në momentin kur nuk shkon diçka qeveria mund të bie, por nuk po shoh diçka konkrete te z.Veseli, dhe qeveria vazhdon punën edhe pa ndonjë ministër”, ka deklaruar ai.

Duke komentuar çështjen e ministrave që janë nën hetim, Tahiri ka përmendur rastin e kryetarëve të komunave që kanë qenë me aktakuza dhe kanë vazhduar detyrën.

“Nuk është në kuadër të marrëveshjes politike se personat nën hetim nuk duhet të bëhen ministra, por u mbetet moralisht atyre të vendosin. Prokuroria mund të ngre aktakuza edhe me fakte të pa verifikuara, por gjyqësia është ajo që vendos në mënyrë të paanshme”, ka thënë ai.

Duke komentuar vizitën e Haradinajt në SHBA, Tahiri thotë se ajo ishte vizita më e rëndësishme e Kosovës në SHBA.

“Kemi marrë mbështetje për Ushtrinë e Kosovës dhe kemi bërë shumë punë të mirë për anëtarësimin në Interpol”, ka shtuar ai.

Këshilltari i kryeministrit ka thënë se këtë vit Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Interpol.

Tahiri ka thënë se Qeveria është duke shqyrtuar reduktimin e ministrave dhe zëvendësministrave.

“Po përgatisim ligjin që parasheh më së shumti 17 ministri nga 21 sa janë. Gjithashtu po planifikohet që të mos ketë më shumë se tre zëvendësministra, ku njërin do ta kenë minoritetet”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Manchester United sot në OLD TRAFORD pret Valencian, në kuadër…