
Tahiri: Pozita e opozita duhet ta caktojnë një datë për ta shpërbërë Kuvendin
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri ka thënë se Kuvendi i Kosovës duhet të shpërndahet dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja.
Ai ka theksuar se Kuvendi i Kosovës është jofunksional dhe pozita e opozita duhet të caktojnë një datë për të shpërbërë atë.
“Viti 2020 është viti që shoqëria jonë pësoi një degradim të madh në ekonomi, shëndetësi, jo që po pëson por po e rrënon arsimin. Ky është rezultati i 6 tetorit, i qeverisë së shpresës. Sot po pretendojnë që po qeverisin një koalicion që asnjëherë nuk i kanë mbi 35 deputetë në sallë. Është koha që edhe ju që po mbani peng vendin, e edhe ne që nuk i kemi votat për ta rrëzuar, të ulemi e të dakordohemi për një datë ku të shpërbëhet Kuvendi. Pra, ky Kuvend është jofunksional”, ka thënë Tahiri në seancën e sotme të Kuvendit.