
Tahiri: Qeveria në detyrë është shtabi zgjedhor i VV-së për zgjedhjet lokale, ish opozita nuk duhet të heshtë
Ish-deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, ka reaguar ndaj krizës politike pas zgjedhjeve, duke akuzuar qeverinë në detyrë se po qëndron në pushtet pa mandat dhe po përfiton nga bllokada institucionale.
“Pas seancës së djeshme të 24 duhet të themi disa çështje drejt, pushteti aktual është përfituesi i heshtur i kësaj situate. Si opozitë paraprake, duhet ta shohim këtë realitet”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Sipas tij, mbi 350 persona të emëruar politikisht, përfshirë kryeministrin, zëvendëskryeministrat dhe ministrat, po qëndrojnë në pushtet pa legjitimitet, duke shtyrë çdo vendim të madh deri pas zgjedhjeve lokale të tetorit.
“Qetësia e tyre nuk është përgjegjësi shtetërore, është një llogari e ftohtë për pushtet dhe fushatë”, shton ai.
Tahiri u bën thirrje partive opozitare që të mos e shohin situatën si një lojë taktike dhe kërkon veprime të menjëhershme.
Ai paralajmëron se nëse Lëvizja Vetëvendosje arrin të formojë qeveri me 61 deputetë, ndryshimi do të mund të ndodhë vetëm në vitin 2026.
“Shkurt e shqip, opozita e ka në dorë largimin e shtabin zgjedhor të VV-së të zgjedhjeve lokale nga qeveria qendrore, e cila përfshin mbi 350 të punësuar politikisht, që do të përdoren si mjet për fushatën komunale. Mos ua jepni kohën, mjetet dhe institucionet për ta realizuar këtë pa asnjë përgjegjësi. Përndryshe, kur ta kenë marrë edhe pushtetin lokal, mos t’vajtojmë”, ka shkruar tutje ai.