Tahiri siguron donacion për ndërtimin e tregut modern në vlerë prej 400 mijë dollarësh

01 gusht 2021 | 16:23

Komuna e Vushtrrisë shumë shpejt do të bëhet me treg të ri modern. Të dielën kryetari i kësaj komune, Xhafer Tahiri, ka nënshkruar marrëveshje me organizatën Islamic Relief, dega në ShBA, në vlerë prej 400 mijë dollarësh.

Tahiri ka thënë se kjo është prej marrëveshjeve më të rëndësishme për zhvillimin ekonomik lokal të qytetit të Vushtrrisë, e cila ka të bëjë me ndërtimin e tregut për prodhues vendorë.

“Tregu do të jetë hapësirë multifunksionale që ngërthen në vete hapësirën për prodhues vendorë, zejtarë, hapësira të gjelbra, kënde për lodra të fëmijëve, restorante, parkingje për makina dhe biçikleta në hapësirë 1.5 hektar. Kur të përfundoj projekti, çdo prind mund t’i marrë fëmijët e tyre përdore dhe t’i dërgojë në treg për t’ia mësuar tregtinë”, ka thënë ai.

Tahiri ka theksuar se ky treg, përveç aspektit ekonomik e zhvillimor, do ta ketë edhe dimensionin social. “Do të ketë edhe dimensionin tjetër që do të tërheqë shumë vizitorë edhe nga Kosova edhe nga jashtë sepse është një prej tregjeve më unike që do të bëhet jo vetëm në Kosovë, por në të gjitha hapësirat e tjera shqiptare”, ka deklaruar kryetari Tahiri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një pushues nga Kosova ka humbur jetën këtë të diele…