Tahiri thotë se Kosova duhet të angazhohet për shfuqizimin e Rezolutës 1244

22 tetor 2021 | 11:26

Ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë se Kosova duhet të angazhohet më shumë në aspektin diplomatik sa i takon kërkesës për shfuqizim të Rezolutës 1244.

Këtë gjë, sipas saj, Kosova do të mund ta bënte duke shfrytëzuar ndihmën e Shteteve të Bashkuara.

“Atë që dua të them është se është fuqia dhe ndikimi diplomatik i ShBA-së, i cili mund të bëjë që të anulohet Rezoluta 1244 nga Këshilli i Sigurimit sepse ajo është baza legale e funksionimit të UNMIK-ut aktual. Natyrisht edhe Kosova mund të zhvillojë diplomaci në këtë drejtim”, ka thënë Tahiri për “Radion Evropa e Lirë”.

Ajo ka thënë se takimet e nivelit të lartë siç ka qenë ai ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe shefit të UNMIK-ut, Zahir Tanin nuk do të duhej të ndodhin në realitet.

Tahiri ka thënë se misioni i UNMIK-ut në Kosovë, prej vitesh është një strukturë fosile, së cilës nuk duhet dhënë mundësi që ta arsyetojë ekzistencën.

“Nuk është mirë nga ana e qeverisë dhe kryeministrit të mbajë takime me UNMIK-un, sepse duke mbajtur takime të niveleve të larta jepet sinjali që (qeveria) ende e mbështetë ekzistimin e UNMIK-ut në Kosovë”, vlerëson Tahiri.

Ish-ministrja Tahiri ka thënë se këtë mision nuk duhet injoruar tërësisht, por sipas saj, komunikimi dhe bashkëpunimi duhet të vendoset vetëm në nivel teknik.

“Kontakte mund të kihet sepse ata janë në Kosovë, por ato nivele duhet të jenë nivele teknike, nivele të zyrtarëve administrativë dhe jo takime të niveleve politike, pra siç është puna e kryeministrit dhe shefit të UNMIK-ut”, ka thënë Tahiri.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një panel këshillues qeveritar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës…