Tahiri: Tradita ka diskriminuar femrat, por ligji respekton barazinë gjinore

30 mars 2018 | 17:33

Ministria e Drejtësisë me mbështetjen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ka organizuar të premten punëtorinë e kampanjës informuese “Barazia Gjinore në Kodin Civil”.

Me këtë rast, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka deklaruar se pavarësisht rregullimit të mirë me ligj, traditat dhe zakonet diktojnë ndarjen e trashëgimisë.

“Përderisa tradita jonë ka diskriminuar femrat në këtë fushë, ligji ekzistues mbi trashëgiminë respekton barazinë gjinore. Një ndër çështjet që tenton të unifikohen përmes Kodit Civil është edhe kjo, dhe unë jam i bindur që një qartësi e normave por edhe niveli më i lartë i sigurisë juridike do arrihet pikërisht në bazë të këtij Kodi”, ka thënë Tahiri.

Ai ka theksuar se në bazë të praktikave gjyqësore, del që vetë gratë heqin dorë nga trashëgimia, ose dekurajohen nga zvarritjet e procedurave gjyqësore.

Po ashtu, ministri Tahiri ka thënë se vazhdon të jetë numër i vogël i grave në tregun e punës, andaj ka kërkuar zbatim më të mirë të barazisë gjinore, pasi sipas tij, sjellja ndaj grave e definon shoqërinë që Kosova dëshiron ta ndërtojë.

“Dua të mbështes fuqishëm nevojën për fuqizimin e pozitës së gruas në pajtim me legjislacionin tonë i cili njeh parimin e barazisë gjinore, dhe dua të theksoj nevojën e aplikueshmërisë së mirëfilltë të ligjit. Ne, dhe sjellja jonë ndaj grave që na rrethojnë çdo ditë në çdo moment, do të jetë  reflektim i asaj çfarë shoqërie duam dhe me çfarë vlera duam të ushqejmë familjen”, është shprehur Tahiri.

Ndërkohë ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë se procesi i finalizimit të Kodit Civil duhet të na çojë drejt përmirësimit të besimit të publikut në sistemin gjyqësor, që njeh dhe mbron të drejtat e të gjithë qytetarëve pa dallim, në veçanti mbrojtjen e barabartë të drejtave për gratë në trashëgimi dhe në pronë.

“Shpeshherë garantimin e barazisë gjinore e kemi parë vetëm nga spektri i përmbushjes së një norme morale, si një të drejte që i ofrohet gruas, jo domosdoshmërisht si një e drejtë e garantuar me ligj. E kemi parë të ndarë nga efekti pozitiv dhe i shumëfishtë që avancimi i gruas sjell drejtpërdrejtë në familje, në komunitet dhe në tërë shoqërinë”, ka theksuar ajo.

Në këtë punëtori kanë marrë pjesë përfaqësues të shoqërisë civile, të gjyqësorit dhe profesionistët ligjorë.

Grumbullimi i informacionit përmes kësaj kampanje të komunikimit do të trajtohet nga Grupi Punues i Ministrisë së Drejtësisë, përgjegjës për hartimin e Kodit Civil.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka…