Tajlanda dhe Kamboxhia përfshihen në përleshje vdekjeprurëse

24 korrik 2025 | 16:55

Tajlanda dhe Kamboxhia janë përfshirë në përplasjet më të përgjakshme ushtarake në më shumë se një dekadë. Si pasojë e përleshjeve të enjte janë vrarë të paktën 12 persona, teksa të dy palët kanë luftuar me tanke, artileri dhe forca tokësore në një zonë të kontestuar kufitare.

Luftimet shënojnë një përshkallëzim dramatik të një mosmarrëveshjeje të kamotshme për një zonë të njohur si “Trekëndëshi i Smaragdit”, aty ku takohen kufijtë e Tajlandës, Kamboxhias dhe Laosit.

Gjatë përleshjeve të së enjtes, Kamboxhia lëshoi raketa dhe predha artilerie drejt Tajlandës, ndërsa ushtria tajlandeze ngriti në ajër avionë luftarakë F-16 për të kryer sulme ajrore.

Ministria e Shëndetësisë së Tajlandës tha se një ushtar dhe të paktën 11 civilë u vranë, shumica në një sulm me raketë pranë një pompe karburanti në provincën Sisaket.

Pamjet nga vendngjarja tregonin tym të dendur që dilte nga një dyqan ushqimor i lidhur me pikën e karburantit. Zyrtarët provincialë thanë se shumica e të vrarëve ishin studentë që ndodheshin brenda dyqanit kur ndodhi sulmi.

Ushtria tajlandeze njoftoi se përleshjet u përqendruan në gjashtë lokacione, ku trupat tokësore dhe tanket u përplasën me forcat kamboxhiane për kontrollin e territorit.

Sipas zëdhënësit të zëvendësuar të ushtrisë tajlandeze, Ritcha Suksuwanon, në luftime u përfshinë gjashtë avionë luftarakë të forcës ajrore tajlandeze, të cilët goditën dy “objektiva ushtarake të Kamboxhias”.

Kamboxhia ende nuk ka komentuar për numrin e viktimave. Zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes, Maly Socheata, refuzoi të përgjigjet kur u pyet për këtë çështje në një konferencë për media.

Të dyja palët fajësojnë njëra-tjetrën për nisjen e luftimeve, të cilat shpërthyen pranë dy tempujve në kufi.

Ministria e Mbrojtjes e Kamboxhias tha se forcat e saj kishin vepruar në vetëmbrojtje pas një “sulmi të armatosur”.

Kryeministri kamboxhian, Hun Manet, kërkoi një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të trajtuar atë që Ministria e Jashtme e tij e cilësoi si “agresion të paprovokuar ushtarak”.

Ndërkaq, Qeveria e Tajlandës akuzoi Kamboxhian se ishte “çnjerëzore, brutale dhe e etur për luftë”, duke njoftuar se të gjitha pikëkalimet kufitare janë mbyllur dhe banorët në zonat përreth janë evakuuar. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vijon të jetë aktiv zjarri në malin e Shën Gjergjit…