Tajvani i kërkon Kinës “t’i ndalë veprimet e njëanshme shkatërruese”

18 shtator 2023 | 17:46

Tajvani i ka kërkuar Kinës t’i ndalë “veprimet e njëanshme shkatërruese” pasi më shumë se 100 avionë luftarakë kinezë dhe nëntë luftanije u detektuan në zonat përreth ishullit vetëqeverisës.

Pekini pretendon se Tajvani është pjesë e territorit të tij të cilin një ditë do ta rimarrë, duke mos përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcës. Vitet e fundit Kina ka rritur presionin diplomatik dhe ushtarak ndaj Tajvanit.

Më 18 shtator Ministria tajvaneze e Mbrojtjes ka theksuar se numri i detektuar i avionëve luftarakë në 24 orët e fundit paraqet një rekord të regjistruar së fundi, ndërkaq Pekini ende nuk ka komentuar për këtë situatë.

“Në mes të mëngjesit të 17 dhe 18 shtatorit, Ministria e Mbrojtjes Kombëtare ka detektuar në total 103 avionë luftarakë kinezë, shifër rekorde e kohëve të fundit. Këto fluturake paraqesin sfida të mëdha për sigurinë në mbarë Ngushticën e Tajvanit dhe në rajon. Ngacmimi i vazhdueshëm ushtarak i Pekinit shumë lehtë mund të çojë në rritje të tensioneve dhe ta përkeqësojë sigurinë rajonale”, tha ministria e cila i bëri thirrje Kinës që “menjëherë të ndalë veprime të tilla të njëanshme shkatërruese”, është thënë në deklaratën e kësaj ministrie.

Nga numri i përgjithshëm i avionëve luftarakë të detektuar, 40 prej tyre kanë kaluar vijën në Ngushticën e Tajvanit që ndan ishullin nga Kina dhe kanë hyrë në pjesën jugperëndimore dhe juglindore të zonës identifikuese të mbrojtjes ajrore të Tajvanit, kanë thënë autoritetet në Taipei.

Javën e kaluar Taipei ka raportuar për një sërë inkursionesh nga avionët luftarakë kinezë dhe anijet. Këto zhvillime kana ardhur në kohën kur Pekini ka thënë se ka vendosur trupat e tij “në gatishmëri të lartë”, pasi dy anije që iu përkisnin Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë kaluan përmes Ngushticës së Tajvanit.

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit ka thënë se 68 avionë luftarakë kinezë dhe 10 anije të marinës kineze u detektuan përreth ishullit të mërkurën dhe të enjten e javës së kaluar. Disa nga këta avionë dhe luftanije ishin nisur drejt një zone të paspecifikuar në Paqësorin Perëndimor “për të kryer stërvitje të përbashkëta detare dhe Ajrore” dhe në mesin e tyre ishte edhe avionmbajtësja kineze “Shandong”, ka njoftuar ministria tajvaneze.

“Shandong” – një prej dy avionmbajtëseve operacionale të flotës kineze – është dedektuar javën e kaluar rreth 110 kilometra në juglindje të Tajvanit, teksa ishte nisur drejt Paqësorit Perëndimor, kanë thënë autoritetet tajvaneze.

Javën e kaluar Ministria japoneze e Mbrojtjes ka thënë se marina e saj kishte detektuar gjashtë anije, përfshirë fregata, anije shkatërruese, katër anije mbështetëse luftarake dhe “Shandongun”, duke lundruar rreth 650 kilometra në jug të ishullit Mijakojima në lindje të Tajvanit.

Japonia ka konfirmuar se ka detektuar avionë dhe helikopterë duke u nisur dhe duke aterruar në Shadong, edhe pse Kina zyrtarisht nuk ka komentuar për ndonjë stërvitje që po kryen në Paqësor.

Analistët kanë thënë se Kina mund të jetë duke “treguar muskujt” që t’i kundërvihet ndikimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Azi-Paqësor, pasi Uashingtoni ka udhëhequr disa stërvitje ushtarake me aleatët në mbarë rajonin.

“Politikisht, Kina t’i kundërvihet kontrollit ushtarak të aleatëve demokratikë që udhëhiqen nga ShBA-ja”, ka thënë për “AFP”-në, Su Tzu-yun, analist në Institutin e Tajvanit për Kërkime të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare.

Pas vizitës së Nancy Pelosit – atëbotë kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve – gushtin e kaluar, Kina ka kryer stërvitjet më të mëdha ushtarake përreth Tajvanit.

Më pas në prill të këtij viti Pekini ka kryer një stërvitje treditore ushtarake për ta simuluar rrethimin e ishullit, pasi presidentja tajvaneze, Tsai Ing-wen, është takuar në Kaliforni me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy.

Përderisa Pekini ende nuk ka lëshuar asnjë deklaratë për ngjarjet e fundit, tabloidi shtetëror kinez “Global Times” ka publikuar një koment në platformën sociale “Weibo”. “Tajvani dhe Kina bëjnë pjesë në të njëjtën Kinë dhe Tajvani është pjesë e shenjtë dhe e patjetërsueshme e Kinës. Aktivitetet trajnuese të Ushtrisë Popullore Çlirimtare janë veprime të nevojshme për ta mbrojtur sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial”, ka raportuar “Global Times”, duke iu referuar ushtrisë së Kinës. Kina dhe Tajvani janë ndarë gjatë luftës civile të vitit 1940, por Pekini insiston se ky ishull do t’i kthehet dikur nën kontroll. Tajvani ka Kushtetutën e vet, liderë të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe rreth 300 mijë trupa aktive ushtarake. Megjithatë, pavarësia e këtij ishulli vetëqeverisës njihet nga pak shtete. ShBA-ja nuk ka lidhje zyrtare me Tajvanin, por Uashingtoni ka një ligj që parasheh dërgimin e mjeteve që i duhen ishullit për ta mbrojtur veten.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar të hënën kërkesën…