
Takimet Kurti – Limaj, kalkulime politike për interesa personale
Ish-deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, vlerësoi se vonesa në konstituimin e Kuvendit të Kosovës është sabotim dhe degradim i vullnetit të qytetarëve.
Në intervistë për Ekonomia Online, Berisha tha se mosfunksionalizimi i institucioneve është pasojë e papërgjegjësisë së partive politike dhe përfaqësuesve të zgjedhur.
“Është shpërfaqur sheshit se këtu ka papërgjegjshmëri të atyre që janë të ngarkuar me krijimin e institucioneve dhe me përfaqësimin qytetar. Ka papërgjegjshmëri ndaj qytetarit dhe votës së tij. Patriotizmi kushtetues i këtyre njerëzve është përdhe, sepse kjo nuk mund të jetë asgjë e mirë përveç se sabotazh ndaj shtetit”, tha Berisha.
Ai shtoi se vonesat dhe pazaret politike janë kalkulime për interesa personale dhe partiake, duke përmendur edhe përçarjet mes subjekteve opozitare.
“Këtu kemi të bëjmë me sabotim, me degradim e abuzim me votën e qytetarit, sepse kjo pauzë 48-orëshe për seancat njëminutëshe është një mekanizëm imunitar që mundëson kushtetuta për të mos konsideruar shtetin ose kuvendin inekzistent. Institucionet nuk mund t’ua imponojnë vullnetin atyre që përfaqësojnë qytetarin brenda institucionit. Janë duke e dëmtuar shtetin jo vetëm në aspektin e qytetarit, por edhe në imazhin që ka nga jashtë te gjithë miqtë e Kosovës. Duhet të reflektojnë. Është koha e fundit. Nga pozita politike të bëhen marrëveshje, të cilat e cenojnë integritetin territorial të vendit dhe sovranitetin politik”, tha ai.
Ish-deputeti i PDK-së komentoi edhe takimet e kryetarit të Vetëvendosjes Albin Kurti dhe kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, duke i cilësuar si pjesë e një strategjie personale politike.
“Është kalkulim politik dhe partiak për interesa të veta. Subjektet politike janë bashkim i njerëzve që kanë interesa të përbashkëta për shtetin apo për të realizuar një mision. Sa për Limajn, jo tradhti, por një pakorrektësi është ndaj Haradinajt. Ai vetë do të kishte marrë tetë deri në 11 ulëse në Kuvend. Ai ka degraduar, sepse elektorati i tij nuk është pajtuar t’i ndajë numrin e deputetëve me një subjekt, i cili asnjëherë nuk ka arritur ta kalojë pragun. Këto janë kalkulime politike. Limaj është i shkathët në kalkulime. Një herë ka kalkuluar gabimisht: ajo ka qenë kur është ndarë nga PDK-ja. Tani ka bërë një kalkulim të mençur dhe lufton për pozicionin e vet politik”, tha për EO, Berisha.