Takimi i delegacioneve Kosovë – Shqipëri: Fokusi në sigurinë ushqimore dhe unifikimin e standardeve
Në kuadër të vizitës zyrtare të ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë në Kosovë të premten është mbajtur një takim ndërmjet delegacioneve të të dyja vendeve, ku u diskutua për avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet të dyja vendeve në sektorin e bujqësisë.
Gjatë këtij takimi, u theksua nevoja për intensifikimin e bashkëpunimit në disa fusha kyçe, me theks të veçantë në forcimin e sigurisë ushqimore, njohjen dhe unifikimin e certifikatave dhe procedurave, identifikimin dhe bashkëpunimin ndërmjet laboratorëve, zhvillimin dhe harmonizimin e metodave të akreditimit, si dhe fuqizimin e shërbimeve këshillimore për fermerët, përfshirë rolin e Qendrave për Transfer të Teknologjisë Bujqësore (QTTB).
Palët u dakorduan që këto prioritete do të konkretizohen përmes hapave të përbashkët në periudhën në vijim, me synim rritjen e cilësisë së prodhimit vendor, lehtësimin e qarkullimit të produkteve bujqësore dhe garantimin e standardeve më të larta për konsumatorët në të dyja vendet.
Ky takim vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në sektorin e bujqësisë.



