Takimi i Gërvallës me Hargreaves, MD-ja: Ministrja foli për funksionalizimin e Byrosë për konfiskimin e pasurisë

12 mars 2026 | 15:57

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë (MD), Donika Gërvalla, së bashku me zëvendësministrin e Drejtësisë, Genc Nimoni, kanë pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Kosovës Jonathan Hargreaves, me të cilin kanë biseduar për përparimin e reformave në drejtësi dhe forcimin e institucioneve që garantojnë sundim të palëkundur të ligjit dhe integritet të plotë të sistemit të drejtësisë.

Ministrja Gërvalla ka vlerësuar lart bashkëpunimin me Mbretërinë e Bashkuar, me fokus të veçantë tek drejtësia dhe sundimi i ligjit, duke e cilësuar atë si bashkëpunim të përhershëm, të qëndrueshëm dhe të shumanshëm.

“Republika e Kosovës në vazhdimësi vlerëson mbështetjen e tyre në proceset reformuese, në forcimin e integritetit dhe llogaridhënies së institucioneve tona, e sidomos përpjekjet e shtetit britanik për mbështetjen e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe adresimin e dhunës me bazë gjinore”, ka thënë Gërvalla.

Gjatë takimit, ministrja Gërvalla ka përmendur po ashtu procesin e vettingut dhe ndërmarrjen reformuese në sistemin e drejtësisë, si dhe funksionalizimin e plotë të Byrosë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, të cilat i cilësoi parakusht për një drejtësi që nuk toleron kompromis.

“Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është vijë e prerë e mandatit tonë, dhe Republika e Kosovës do të qëndrojë gjithmonë e vendosur që çdo abuzim të ndëshkohet dhe çdo qytetar të gëzojë drejtësi reale të qasshme dhe të pakompromentuar”, ka thënë Gërvalla, duke shtuar se vetëm kështu shteti forcon institucionet e saj, garanton drejtësi funksionale dhe transparencë, si dhe siguron që sundimi i ligjit të mbetet prioritet bazë i Republikës së Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendësministri i Mbrojtjes, Gegë Lleshi, sot mori pjesë në Konferencën…