
Takimi i së enjtes në Bruksel, Hoti: Së shpejti do ta emëroj koordinatorin për dialog
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se dialogu me Serbinë nuk është i karakterit teknik, por i atij politik.
Hoti në një konferencë për medie me kryetarin e Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha, ka njoftuar se të enjten në Bruksel do të udhëtojë koordinatori i Qeverisë së Kosovës për procesin e dialogut.
“Ky proces ka filluar pas më shumë se 20 muajve. Ditët e para e kemi qartësuar platformën tonë dhe kemi komunikuar me të gjithë. Është etabluar pozicioni i Kosovës në këtë proces dhe është mirëkuptuar nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Qëllimi final është vetëm njohja reciproke dhe normalizimi i marrëdhënieve”, është shprehur Hoti, duke bërë me dije se shumë shpejtë do ta emërojë koordinatorin për dialog.
“Dialogu është vetëm politik. Të enjten është një takim në Bruksel ku do të jetë koordinatori për dialog, të cilin do ta emëroj së shpejti, për të draftuar marrëveshjen finale për njohje reciproke”, ka deklaruar Hoti. /Epoka e re/