
Takimi me Putin, prova vendimtare për ëndrrën e Trump për Nobel
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i cili ka ndërtuar profilin e tij politik mbi moton “America First” dhe shmangien e përfshirjes së SHBA-së në konflikte të huaja, po synon një nga çmimet më prestigjioze në botë, Nobelin për Paqe.
Sipas La Stampa, sfida e tij më e madhe do të jetë takimi me presidentin rus Vladimir Putin në Alaska, ku Trump shpreson të ndërmjetësojë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, e cila ka shkaktuar rreth 1,5 milionë viktima nga të dyja palët. Analistët paralajmërojnë se gjasat për një përparim janë të vogla, por një marrëveshje e drejtë për Ukrainën do të ishte një fitore diplomatike që nuk e arritën as Barack Obama e as Joe Biden.
Në muajt e fundit, administrata e Trump ka theksuar arritjet e tij të mëparshme në ndërmjetësimin e marrëveshjeve të paqes, përfshirë reduktimin e tensioneve mes Izraelit e Iranit, mes Indisë e Pakistanit, si dhe marrëveshjet e përkohshme mes Armenisë e Azerbajxhanit, apo ato mes Ruandës e Republikës Demokratike të Kongos.
“Kam ndalur gjashtë luftëra,” tha Trump muajin e kaluar në Skoci. “Mesatarja ime është një luftë në muaj.”
Këto përpjekje kanë nxitur udhëheqës nga vende të ndryshme, përfshirë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, presidentin e Pakistanit dhe liderët e Armenisë e Azerbajxhanit, të bëjnë thirrje publike që Trump të marrë Nobelin për Paqe. Edhe Hillary Clinton, një nga kundërshtaret e tij më të ashpra, ka deklaruar, ndoshta me ironi, se do ta mbështeste kandidaturën e tij nëse ai do të arrinte të ndalonte luftën në Ukrainë pa lejuar që Moska të marrë territor nga Kievi.
Megjithatë, vendimi i takon vetëm komitetit të Nobelit, i përbërë nga pesë anëtarë të emëruar nga parlamenti norvegjez, të cilët ndjekin kriteret e përcaktuara nga Alfred Nobel në testamentin e tij: çmimi t’u jepet atyre që “kanë bërë më shumë ose më mirë për vëllazërinë mes kombeve”.
Nëse takimi i sotëm do të prodhojë një armëpushim të menjëhershëm, siç shpreson Trump, komiteti do ta ketë gjithnjë e më e vështirë ta injorojë kandidaturën e tij.